Transmetuar më 09-06-2022, 11:01

Tiranë- Një ditë më parë çmimi i karburanteve kapi majat në Shqipëri.

Zv. Kryeministri Arben Ahmetaj ka folur ditën e sotme për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.

I pyetur nga gazetarët nëse Bordi i Transparencës do të pushojë së ekzistuari, në një kohë kur çmimi i karburanteve në vend ka kapur shifra rekord, Ahmetaj deklaroi se ai është një instrument funksional dhe do vazhdojë të ekzistojë.

“Qeveria punon çdo ditë. Sot morëm një seri detyrash, po të hap bllokun janë mbi 20 e ca detyra që kryeministri dha në raport me ndjekjen, përballimin e hartimin e politikave e instrumenteve për përballimin e krizës. Është krizë e shkaktuar nga njeriu, bllokimi i rrugëve të furnizimit, qeveria do i përdorë të gjithë instrumentet e duhur qoftë dhe inovativë që të frenojë rritjet abuzive të çmimeve.

Çdo instrument që funksionon për të monitoruar e frenuar me instrumentet e tregut dhe ato që ka administrata e shtetit të gjitha do vijojnë të funksionojnë”, tha Ahmetaj.

Nafta me pakicë në vend shitet me 258 lekë/litri, megjithëse në bursë ka pësuar ulje. Bordi i Transparencës bazohet në çmimet e bursës për të përcaktuar shifrat e shitjes së karburantit në vend.