Transmetuar më 08-06-2022, 18:33

"Mjeshtre e Madhe e Artit" dhe "Nderi i Kombit", aktorja Margarita Xhepa, solli sot në Universitetin "Aleksandër Moisiu", tetë histori të vërteta grash nëpërmjet dhimbjes, ironisë e humorit.

Bashkë me Margaritën ishin edhe të mirënjohurat Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Erjona Kakeli, Alessia Xhemalaj dhe Era Çaushi.

Nën regjinë e Driada Dervishit, ato sollën plot pasion, një atmosferë ku përpos shfaqjes, dhjetëra këpucë të kuqe u rreshtuan në UAMD si mesazh ndërgjegjësues kundër dhunës ndaj grave.

Ky event u realizua në sajë të studentëve dhe stafit akademik të Departamentit të Psikologjisë, Fakulteti i Edukimit, që u angazhuan maksimalisht për t’i dhënë jehonën e merituar kësaj nisme.

Me të ardhurat e shfaqjes, do të mbështeten me bursë dy studente të programit Bachelor në Psikologji.

"Këpucët e kuqe" u realizua nga organizatat "Eja në teatër" dhe "BashArt".