Transmetuar më 02-06-2022, 21:40

Qipro- Fitore e bukur e Kosovës në Qipro.

Në ndeshjen debutuese të Ligës së Kombeve 2022 e vlefshme për grupin C “Dardanët” nuk humbasin në transfertën delikate të Qipros ku zhvilluan një ndeshje që tregon rritje krahasuar me fushatën eleminatore të Kupës së Botës.

Triumf i pastër 2-0 falë një pjesë të dytë shumë pozitive dhe pa asnjë gabim nga skuadra kosovare.

Në stadiumin AEK të Larnacas, Kosova zbriti në fushë me treshen e sulmit Murriqi-Rashica-Zhegrova që në letër janë dukshëm më superiorë se qipriotët por pjesa e parë foli ndryshe.

Kosova e nisi takimin me probleme për shkak të mungesës së ambjentimit dhe ishte Qipro që mori kontrollin e ndeshjes së luajtur në Larnaca. 45 minutat e para u dominuan nga skuadra ishullore që shpërdoroi një rast të artë në minutën e 41 me autor Pieros Sotiriou. Në krahun tjetër, djemtë e Alain Giresse gjetën pak hapësira në mesfushën kundërshtare ndërsa rastin më të rrezikshëm e krijoi Edon Zhegrova.

Pjesa e dytë nisi pa ndryshime por me një skuadër ndryshe, Kosovën që e startoi vrullshëm duke zotëruar mesin e fushën. Ishte sërish Zhegrova që rrezikoi portën e Qipros ndërsa me kalimin e minutave, presioni i miqve u rrit ndjeshëm.

Në minutën e 65, Valon Berisha i asistuar nga Vedat Murriqi, shpërbleu lojën pozitive të “Dardanëve” me një gol që ka një vlerë shumë të madhe.

Mrekullinë e Kosovës në Larnaca e kompletoi Edon Zhegrova pak më shumë se 10 minuta nga fundi.

Kosova bën pjesë në grupin 2 të Divizionit C bashkë me Irlandën e Veriut dhe Greqinë me të cilën do të ndeshet të dielën në Prishtinë.