Transmetuar më 22-05-2022, 23:24

Sali Berisha nga sonte është edhe një herë kryetar i Partisë Demokratike. Ai mori për herë të tretë këtë post dhe nuk dihet sa do ta mbajë.

Më 1991 ai ishte kryetar i PD de jure deri më 1992, por de facto deri më 1997 kur dorëzoi Presidencën dhe u rikthye zyrtarisht në krye të PD.

Më 2013 u largua dhe i la vendin Lulzim Bashës, por tani rikthehet me një mision të vetëm siç shprehet: Harrojeni Lulzim Bashën, unë jam këtu me misionin për të shpëtuar opozitën dhe të flak nga pushteti Edi Ramën".

Sonte, Berisha u konfirmuar si kryetar i PD nga shumica dërrmuese e anëtarësisë demokrate që mori pjesë në zgjedhje.

Përballë Berishës ishte vetëm një kandidat modest, Ibsen Elezi që nuk fitoi as në Kukës ku mendohej të kishte përkrahje për shkak të origjinës.

Berisha fitoi këto zgjedhje, por misioni i tij duket në mos i pamundur, tejet i vështirë. Qarqe të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë bënë çmos që t’i hiqet e drejta e udhëtimit në SHBA duke i vënë një njollë të zezë Berishës dhe familjes së tij, gruan dhe djalin e vajzën.

SHBA i shpalli non grata me disa përshkrime akuzash të rënda kryesisht për korrupsion, akuza që perceptohen prej vitesh në publik, por të paprovuara kurrë nga drejtësia. Edhe vetë SHBA nuk paraqiti ndonjë provë.

Në këtë vorbull, Berisha po shkon drejt zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare, duke shprehur bindjen se fitorja është çështje kohe dhe do të ndalojë Ramën të marrë një mandat të katërt, ashtu si disa krerë autoritarë në Evropë e më tej, si Erdogan në Turqi, Putin në Rusi. Gjukanoviç në Malin e Zi, Orban në Hungari, etj.

Mbetet e paqartë nëse Berisha do t’ia dalë. Ka shumë faktorë që nuk e ndihmojnë e një prej tyre është dhe ai kohë…

E plotë, mesazhi i Berishës pas rizgjedhjes

“U krye! U krye, jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e vërtetë shqiptare e Shqipërisë në shekullin të XXI. Nuk kam ndonjë fjalim të gjatë sot, por kam një përulje të madhe, dhe një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata burra dhe gra, djem e vajza që në një hark kohor ngadhënjyen si njerëz të lirë në një proces që do të regjistrohet në historinë e lirisë së shqiptarëve si mrekullia e vërtetë e shekullit të 21-të.

31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë në vizitën e tij historike, James Baker, do t’u thoshte shqiptarëve se ju do jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Dëshmitar i pengesave të jashtëzakonshme, por anëtarët dhe anëtaret e PD, njerëz të idealeve më të larta, më fisnike, njerëz të lirë, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm.

Ndaj dhe mirënjohja shkon drejt të gjithë atyre. Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata anëtarë që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur si qytetarë të lirë kryetarin e Partisë Demokratike. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju, ne do t’ia dalim, ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza, që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohin PD t’i njohë shoqëria shqiptare dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton.

Në mënyrë të veçantë mirënjohja ime shkon për të rinjtë shqiptarë. Duhet ta pranoj se ishin ata promotorët kryesor të kësaj lëvizje. Ndaj dhe betimi im para tyre dhe mbarë shqiptarëve: Do të bëj gjithçka që ëndrrat e tyre më të bukura të bëhen realitet në këtë vend. Ai që realizon ëndrrat e tij ai është pafundësisht i detyruar të bëjë gjithçka për të realizuar ëndrrat e bukura të të tjerëve.

Më pak se një vit më parë, në 13 qershor në këtë sallë, diku aty në qoshe, gazetarët pasi votova më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së? – Përgjigjja ime ishte kjo: “Never say never”! Ndaj dhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare, çdo demokrati dhe demokrateje shqiptare, “Never say never”, ne do të fitojmë!”