Transmetuar më 18-05-2022, 19:47

SERBI- Situata e krijuar nga lufta në Ukrainë dhe qëndrimi i Serbisë për çështjen e vetos, duket se kanë rritur presionin ndaj vendit ballkanik në lidhje me marrdhëniet me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar sot se vendi është në një situatë specifike për shkak të ngjarjeve në Kosovë dhe se për shkak të presionit më të ashpër është takuar me hierarkët e Kishës Ortodokse Serbe për të dëgjuar mendimin e tyre.

"Do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruajmë interesat tona, sepse presionet do të jenë më të ashprat. Që nga dita që presidenti rus tha se në çfarë e bazoi pushtimin e tij të Ukrainës në aspektin formal, ligjor dhe politik, të gjitha fuqitë perëndimore kanë punuar për të na ushtruar presion"- tha Vuçiç.

Vuçiç theksoi se populli serb do të ketë nevojë për bashkim më shumë se kurrë në shtator dhe tetor, në vjeshtë, sepse po vijnë kohët më të vështirë që nga viti 1945 dhe tundimet e mëdha.

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për momentin dhe për këtë jemi nën presion të madh, që po na shkakton probleme, këto probleme nuk janë të vogla dhe do të jenë më të mëdha”, tha Vuçiç.

Udhëheqësit perëndimorë parashikojnë një situatë më të keqe se pas Luftës së Dytë Botërore. Disa liderë perëndimorë parashikojnë një situatë shumë më të vështirë se para Luftës së Dytë Botërore, thekson presidenti.

“Ne jemi duke bërë përgatitje dhe duke bërë gjithçka që mundemi, jemi në një situatë specifike për shkak të Kosovës, ku do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruajmë interesin tonë sepse presionet do të jenë më të mëdha”, ka theksuar Vuçiç.

Presidenti falënderoi Patriarkun Porfir dhe peshkopët për diskutimin e çështjeve të rëndësishme për mbarë popullin serb dhe qytetarët e Serbisë. Takimi i presidentit Vuçiç me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe Porfirio dhe ipeshkvijtë e Kishës Ortodokse Serbe në Presidencë, ku ishte përgatitur dreka për ta, ka përfunduar pas më shumë se dy orësh e gjysmë.

Patriarku dhe peshkopët nga godina e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës u shoqëruan nga ministrat Nikola Selakoviq dhe Maja Gojkoviq, të cilët morën pjesë edhe në drekë.