Transmetuar më 18-05-2022, 08:33

Media belge “businessam.be” i ka kushtuar një shkrim asaj që po ndodh në kryeqytetin shqiptar me kullat e larta, ndërtimet pa fund, duke ngritur dyshimet se në to po pastrohen paratë e pista:

“:Tirana përfiton nga një bum ndërtimesh. Megjithatë, mbeten dyshime për sfondin financiar të shumë projekteve, të cilët kryesisht i referohen një fluksi burimesh nga ekonomia gri.

“Çmimi i pasurive të paluajtshme në Tiranë ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, – theksojnë analistët. – Ndërkohë, me rastin e blerjes së një njësie banimi, mund të pritet një çmim mesatar prej 1.143 euro për metër katror.

Këto çmime kanë shënuar rritje të fortë në vitet e fundit. Prandaj, projektet e reja të pasurive të paluajtshme mund të shihen duke u shfaqur në të gjithë qytetin. Zhvilluesit duan të përfitojnë nga popullariteti në rritje i qytetit".

Çmimet mesatare të pasurive të paluajtshme në Tiranë në fund të tremujorit të parë të këtij viti ishin 3.2 për qind më të larta se në fund të vitit të kaluar. Madje, brenda unazës kryesore të kryeqytetit shqiptar duhet të merret parasysh edhe një çmim mesatar prej 1300 euro për metër katror.

Në lagjen e njohur "Blloku", në qendër të kryeqytetit shqiptar, çmimi u rrit edhe më tej, në 1600 euro për metër katror. Por edhe në periferi duhet llogaritur ende një çmim mesatar prej 1000 euro për metër katror.

Analistët theksojnë se çmimi mesatar i pasurive të paluajtshme në Tiranë është rritur me 100 euro për metër katror që nga fillimi i kësaj dekade. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka pasur sërish rritje prej 16 eurosh.

Agjentët imobiliarë theksojnë se Tirana po përballet me një kërkesë të lartë për pasuri të paluajtshme prej disa kohësh dhe theksojnë se ende mund të vërehet një rritje e mëtejshme. “Veçanërisht investitorët po tregojnë interes të madh për pronat e paluajtshme, – argumentojnë ndërmjetësit.

– Ata shpesh bëjnë blerje përpara se ndërtesa të ndërtohet. Jo rrallë disa apartamente blihen në të njëjtën kohë për t’i shitur më vonë me fitim. Të tjerë blejnë apartamente me qira për të huajt". Megjithatë, ka pikëpyetje për financimin e projekteve.

Dyshohet se një pjesë e madhe e bumit të ndërtimit në Tiranë është nxitur nga paratë e zeza. Iniciativa Globale Kundër Krimit Transnacional vlerëson se çdo vit në Shqipëri hyjnë nga 300 deri në 700 milionë euro para të zeza. Një pjesë e madhe e tyre investohen në sektorin e ndërtimit.