Transmetuar më 17-05-2022, 23:01

Me një vendim të diskutueshëm dhe që ka efekt paraveprues, Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka hartuar një plan shpërndarjeje parash për kompanitë e ndërtimit, në një vlerë rreth 100 miliardë lekë ose 80 milionë euro.

Paratë do të jepen përmes subvencionimit me 30 për qind të vlerës së materialeve të ndërtimit në kontratat e punëve publike, sikurse njoftoi Euronews Albania.

Jo vetëm kaq, por kompanitë private do të marrin para edhe për fatura që datojnë nga 1 janari i vitit 2020 e deri te kontratat që janë ende në proces.

Kjo do të thotë se kompanitë e ndërtimit që marrin tenderë shteti, jo vetëm do të përfitojnë si zakonisht, por do të marrin para shtesë për materialet e ndërtimit që kanë raportuar dhe do të raportojnë se kanë shpenzuar për punët që kanë fituar në tenderë.

Eksperti i njohur, prof. Elvin Meka, komenton lëvizjen e qeverisë dhe e konsideron të papranueshme që këto biznese të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga shteti.

"Pra me TVSH-në e rritur që kanë paguar shqiptarët e mjerë për të blerë miell, vaj, sheqer, oriz, vezë e bulmet, duke i rrjepur edhe më keq xhepat e shpuar të shqiptarëve, do të paguhen kostot e shtuara të ndërtuesve!!!

Pra bosët duhet të kompensohen për çmimet e rritura, madje edhe gjatë kohës kur nuk ishin të rritura, kurse populli i thjeshtë duhet detyrimisht të paguaje një më një taksat mbi çmimet e shtuara, e madje do të duhet të paguajë ekstra çmimin e energjisë elektrike po qe se konsumon mbi 700 kwh!!!

Për më tepër, do të na bëhet skaneri i pagës, makinës, shtëpisë, barit ku pimë kafe, shoppingu kur blejmë brisqe rroje, apo çorape, apo kur shkojmë me pushime!!!"