Transmetuar më 13-05-2022, 11:22

Prezenca e OSBE (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë) paralajmëroi sot Edi Ramën se Presidenti i ri duhet të jetë konsensual.

Deklarata e posaçme e OSBE-së u shoqërua me një kujtesë ndaj politikës në tërësi dhe qeverisë në veçanti që të zbatojë Kushtetutën në rastin e emërimit të Presidentit, por duke u kujdesur që këtë herë të mos kërkojë proces gjithëpërfshirës, por thjesht "përfshirës":

"Ndërsa vendi fillon procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndet një proces përfshirës, i cili do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë".

Në këtë mënyrë, Prezenca e OSBE kërkon dhe pret që Shqipëria më 24 korrik 2022 të ketë një president të pranuar nga të gjitha palët politike dhe që të përfaqësojë kështu unitetin e popullit, sikurse është në një pikë të Kushtetutës.

Por në të njëjtën Kushtetutë, pas ndryshimeve të vitit 2008 nga Rama dhe Berisha, lejohet që Presidenti të zgjidhet dhe me votat e njërës palë përmes shumicës së thjeshtë në dy raundet e fundit të ciklit me 5 raunde.

Për këtë, OSBE nuk shprehet dhe ndalet vetëm tek pika fillestare e Kushtetutës që kërkon president uniteti edhe pse kjo duket e pamundur në kushtet kur mazhoranca ka refuzuar të bashkëpunojë me opozitën që tashmë kontrollohet nga ish kryeministri Sali Berisha. /noa.al