Transmetuar më 09-05-2022, 18:36

Sofje- Presidenti bullgar, Rumen Radev, duket se ka shuar përfundimisht shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Radev ishte i prerë dhe deklaroi se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë ultimatum në bisedimet midis Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

“Është jashtëzakonisht e pavend dhe e kotë t’i jepen ultimatume Bullgarisë,” u tha Radev gazetarëve në Sofje të hënën, duke komentuar një deklaratë të ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani u shpreh se deri në qershor, pra deri në fund të presidencës franceze të BE-së ekziston mundësia e zhvillimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Radev këmbënguli se duhet të plotësohen kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Vetoja preku edhe fillimin e bisedimeve të BE-së me Shqipërinë, pasi dy vendet ndjekin një rrugë të përbashkët.

Presidenti bullgar foli gjithashtu për presion të jashtëm, siç e quajti ai ndaj Bullgarisë dhe akuzoi Maqedoninë e Veriut për “shkelje të të drejtave të njeriut” nga bullgarët etnikë, “shkelje të kritereve të Kopenhagës dhe gjuhë të urrejtjes”.