Transmetuar më 06-05-2022, 15:36

Partia Socialiste për herë të parë pranoi sot se Fatos Nano është një preferencë e Ramës, për tua dhënë këtë radhë postin e shumëëndërruar të Presidentit të Republikës.

Nano, kishte këmbëngulur fort më 2017 që të bëhej president dhe zuri sherr me të majtë e të djathtë që ta kandidonin, por askush nuk ia vari.

Tani, ai duket se po vepron me një tjetër strategji, atë të heshtjes, ose të marrjes së kalasë nga brenda.

Fatos Nano nuk po del më me "shpatë" si pesë vjet më parë, por po lë të tjerët ta bëjnë për të.

Dhe karremi duket se është hedhur. Damian Gjiknuri doli sot në një konferencë për shtyp enkas për Presidentin dhe iu vërvit kaq shumë emrit të Nanos dhe karakteristikave të tij. Aq sa duk se dalja për media ishte – më së paku testim për të hedhur Nanon në treg – dhe më së shumti, kandidim de facto i ish kreut të PS.

Gjiknuri pranoi se Fatos Nano është kandidat për President dhe e thënë nga zyrtari i lartë socialist, në kushtet kur Nano nuk e lëshon kot emrin e tij pa dalë të fitojë diçka, duket se pazari është mbyllur: Rama po shpërblen burrin që i zuri dy kolltukë, atë të kreut socialist dhe atë të kryeministrit.

Ndërsa fliste për Nanon, Gjiknuri nuk pushoi së thëni se ish kryeministri socialist plotëson të gjitha kriteret që vetë kjo parti ka vënë për presidentin e ri.

Gjiknuri e përforcoi dyshimin se Nano po përgatitet nga Rama për kolltukun Presidencial, kur tha se nuk ka kufizim që presidenti i ri të mos ketë qenë politikan dhe shtoi: "Ka njerëz që e kanë përfunduar karrierën e tyre në politikë duke mbyllur interesin e tyre aktiv politik dhe janë në pozicione shumë të favorshme, për shkak të pjekurisë, moshës, eksperiencës për të qenë një balancë shumë e mirë e pushtetit", tha Gjiknuri.

Dhe nëse vërtetohet se Nano do të jetë emri i Ramës, Gjiknuri ka përgatitur dhe arsyet: "Këtë presin shqiptarët. Këtë në fund të fundit mishëron dhe Kushtetuta shqiptare për Presidentin"! /noa.al