Transmetuar më 04-05-2022, 10:51

Influencuesja ishte ndër më mbresëlënëset në tapetin e kuq të "Met Gala 2022", por kjo performancë për të ishte një sfidë fizike, sepse duhej të futej në atë fustan ikonë. Edhe një herë, Kim Kardashian ishte më e përfolura e "Met Gala" në New York.

Nëse vitin e kaluar ajo kishte rënë në sy me një fustan krejt të zi, që i mbulonte edhe fytyrën, këtë herë i mahniti të gjithë me fustanin ikonë që Marilyn Monroe e veshi më 19 maj 1962 në "Madison Square Garden" për t’i kënduar "happy birthday" presidentit John F. Kennedy. Është një fustan i stilit sirenë, prodhuar nga Jean Louis, i zbukuruar me gjashtë mijë kristale.

Ai fustan u ble në vitin 2016 nga "Ripley’s Believe or Not" për 4.81 milionë dollarë. Është një fustan i bërë me porosi për Marilyn, për të pasqyruar format e saj. Kim ishte e vetmja, pas Monroe, që mundi ta vishte atë, por iu desh të djersiste tri javë për të hyrë brenda fustanit në fjalë. Në fakt, ja çfarë përpjekjesh iu desh të bënte…

Kur vendosi të vishte fustanin e Marilyn, Kim Kardashian fluturoi në Orlando për ta provuar dhe mundi ta prekte vetëm me doreza. Nuk i shkonte aspak, sepse fiziku i saj është i ndryshëm nga ai i Marilyn. Monroe kishte një fizik si orë prej rëre. Megjithatë, siç tha Kim për "Vogue", ajo ishte kokëfortë: "Isha e bindur dhe thashë: Më jepni tri javë kohë. Më duhej të humbisja 16 kilogramë".

Kështu, ajo humbi 7.2 kg në tri javë: "Ishte një sfidë e madhe, sikur po përgatitesha për rolin në një film. Isha e vendosur të futesha brenda atij fustani". Për të pasur sukses në dobësim, Kim veshi një kostum sauna dy herë në ditë dhe vrapoi sipas rutinës së përditshme. Pastaj, natyrisht, vazhdoi një dietë…

Ashtu si një boksier apo mundës që duhet të rikthehet në peshë për të dueluar në ring, Kim ka mbajtur një dietë të rreptë. Sidoqoftë, nuk ishte hera e parë për të. Tashmë pas lindjes në vitin 2013 ajo kishte humbur 30 kg në pak muaj dhe, siç kishte treguar në rrjetet sociale, ia kishte dalë falë dietës "Atkins", e cila bazohet në ngrënien e shumë proteinave dhe shumë pak karbohidrateve.

Në atë rast, Kim, e cila ishte 32 vjeçe, donte të humbiste peshë, por pa cënuar cilësinë e qumështit me dietën e saj, sepse e ushqente fëmijën me gji. Gjatë nëntë viteve të fundit, ajo ka pasur nevoja të tjera për të humbur shumë peshë shpejt. Këtë herë, në moshën 41-vjeçare, ia arriti qëllimit që i kishte vënë vetes në një hark kohor shumë të kufizuar.

Ajo shpjegoi: "Eliminova plotësisht të gjitha sheqernat dhe karbohidratet, hëngra vetëm perimet dhe proteinat më të shëndetshme. Nuk vdisja nga uria, por ishte një dietë shumë e rreptë”. Më në fund, fustani i rrinte në mënyrë të përsosur dhe ajo zbuloi: "Doja të qaja me lot gëzimi".

Kim Kardashian nuk e ka veshur gjatë gjithë kohës fustanin e Marilyn Monroe, pasi në një moment të mbrëmjes e ka zëvendësuar me një kopje të tij. Kështu, ajo ishte në gjendje të festonte pas ngjarjes. Duhet thënë se Kim ka qenë gjithmonë përdoruese e të brendshmeve "Spanx", edhe parmbrëmë i ka veshur ato. Të brendshmet gjithashtu i lejuan asaj t’i jepte gjoksit një formë identike me atë të Marilyn-it legjendar.