Transmetuar më 29-04-2022, 11:41

Greqi- Rriten sërish tensionet mes Greqisë dhe Turqisë.

Raportet mes palëve janë përshkallëzuar që prej provokimeve të mërkurës së 27 prillit kur avionët turq fluturuan mbi qiellin grek duke shkelur kështu vijat ajrore në të paktën 20 ishuj.

Për këtë arsye Ministria e Mbrojtjes në Greqi ka aktivizuar sistemet kundërajrore.

Me urdhër të ministrit të Jashtëm Nikos Dendias, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Themistoklis Demiris paraqiti pasditen e së enjtes një notë protestë ndaj ambasadorit turk.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se sjellja e vazhdueshme provokuese dhe delikuente turke, që cenon sovranitetin grek, është plotësisht e dënueshme dhe e papranueshme.

Ndërkohë ditën e djeshme Athina zyrtare anulloi ftesën që Greqia i kishte bërë forcave ajrore turke për të marrë pjesë në stërvitjen e NATO-s “Tiger Meet”.