Transmetuar më 23-04-2022, 20:30

Semi është shumë e lumtur për djalin që i ka ardhur në jetë. Ajo po bëhet copash që të krijojë të gjitha kushtet për ta rritur shëndetshëm fëmijën e saj, tashmë shtatë muajsh.

Por që të rritësh një fëmijë sot, ka kosto të shumta. Një prej tyre është energjia elektrike.

Semi tregon se që prej tetorit kur solli në jetë birin, është rritur shumë konsumi i energjisë dhe kjo tregohet në faturën mujore.

"Që kur erdhi djali, harxhoj më shumë energji. Nuk di sa kilovat harxhoj, por fatura më vjen herë 160 mijë e herë 180 mijë lekë të vjetra. Janë shumë, unë 450 mijë të vjetra marr në muaj, im shoq diçka më shumë", tregon nëna 26 vjeçare.

Ajo thotë se e ka të pamundur që ta ulë konsumin: "Më duhet ta laj përditë dhe bolieri harxhon, laj pafund rroba dhe lavatriçja përdoret shumë, mbaj ndezur kondicionerin gjithë kohës që mos më ftohet. Tani ka filluar ushqimin dhe harxhoj edhe me sobën".

Semi ka dëgjuar ministren Belinda Balluku dhe shefin e saj Edi Rama, të thonë se familjet që harxhojnë mbi 700 kilovat në muaj, ose diku te 8 mijë lekë të reja, do t’u shtrenjtohet energjia.

Për më tepër, sot, ajo ishte edhe më e irrituar, pasi dëgjoi ministren të thotë se kërkesa për shtrenjtim vjen nga vetë familjarët.

Për Semin kjo është e papranueshme dhe fyese:

"Vallë nuk u mjafton që paguajmë shumë më tepër se disa familje që nuk kanë detyrime të tilla? Më thoni a mund të kursej te fëmija im, apo t’i bëj lekët ilaçe?", pyet e shqetësuar nëna 26 vjeçare.

Si Semi janë dhe plot familje të tjera që u ikën deri gjysma e rrogës nga energjia që detyrohen të harxhojnë për shkak të rrethanave nga më të ndryshmet familjare.

Që të gjithë, mendojnë se të ndërmarrësh nisma të tilla, që disa i quajnë tipike komuniste, është një goditje më shumë që i jepet familjeve të shtresës së mesme, duke i çuar ato, me pahir në nivelin e varfërisë më të skajshme. /noa.al