Transmetuar më 23-04-2022, 17:21

Një virus i ri, misterioz, është shfaqur javët e fundit duke infektuar kryesisht fëmijët nga 2 deri 5 vjeç.

Ndërsa rastet e para u hasën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hepatiti i ri, sëmundja që prek vetëm fëmijët, raportohet të ketë mbërritur dhe fare afër nesh, në fqinjin Greqi.

Mediat në Athinë njoftuan sot se të paktën dy raste po mbahen nën kontroll. Dr. Theoklis Zaoutis, drejtor i EODY (Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Greqisë), Profesor i Pediatrisë dhe Epidemiologjisë, i bëri thirrje Spitaleve të Fëmijëve të vendit që të jenë gati për të pritur dhe trajtuar rastet e mundshme.

Mjeku epidemiolog, pohoi se ky virus që dëmton mëlçinë, ka një përhapje të shpejtë, por çliroi paksa ankthin e njerëzve kur tha se "shumica e fëmijëve kanë simptoma të lehta".

Hepatiti akut, i cili shfaqet tek fëmijët dhe ka shkaktuar shqetësim global, ka prekur fëmijë nga 2 deri në 5 vjeç dhe shkakton inflamacion të mëlçisë.

Sindroma klinike përfshin hepatit akut me rritje të theksuar të transaminazave, shpesh herë verdhëz dhe simptoma gastrointestinale (kryesisht të vjella) që i paraprijnë verdhëzës.

Shkaku themelor i këtij hepatiti që po haset që nga fillimi i vitit 2022, mbetet aktualisht i panjohur, raporton noa.al.

Më herët, ishte Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA e cila njoftoi për një shpërthim të pazakontë të rasteve pediatrike të hepatitit në shtetin e Alabamas. Dhjetëra raste u raportuan edhe në Angli, Spanjë, Irlandë, Holandë, Danimarkë, etj. Mosha e të infektuarve është nga 2 deri 13 vjeç.

Situata është shqetësuese për ekspertët, pasi shfaqja e njëkohshme e këtyre rasteve të hepatitit të rëndë te fëmijë, në kaq shumë vende njëherësh, konsiderohet e çuditshme.

Viruset mund të shkaktojnë hepatit, por fëmijët e shëndetshëm rrallë sëmuren, aq më tepër rëndë.

Megjithëse asnjë fëmijë nuk është raportuar të vdesë nga hepatiti misterioz deri më tani, shumë prej tyre kanë zhvilluar dështim akut të mëlçisë dhe kanë nevojë për shtrim në spital ose transplant të mëlçisë.

A është i përfshirë koronavirusi?

Teoria mbizotëruese në komunitetin shkencor deri tani – por jo e sigurt – është se shkaku i këtij hepatiti të ri gjendet në një adenovirus (një familje virusesh që zakonisht është përgjegjëse për ftohjet), pasi shumë nga fëmijët e sëmurë janë diagnostikuar me virusin. Megjithatë, nuk është përjashtuar mundësia që të jetë përfshirë edhe koronavirusi.

“Ky është një fenomen serioz. Fëmijët ishin plotësisht të shëndetshëm deri një javë më parë. Megjithatë, shumica prej tyre shërohen vetë”, tha pediatri-hepatologia Deirdre Kelly nga Spitali Britanik i Fëmijëve në Birmingham, sipas “Science” që citon noa.al.

“Situata duhet marrë seriozisht. “Rritja e incidencës është e papritur dhe shkaqet e zakonshme janë përjashtuar”, tha në një deklaratë Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën.

Ku dhe kur u zbulua

Rastet e para u diagnostikuan më 31 mars 2022 në Skoci te fëmijë të moshës tre deri në pesë vjeç, të cilët u shtruan në spital dhe u diagnostikuan me hepatit me etiologji të panjohur.

Në Skoci ka maksimumi katër raste të hepatitit të rëndë të fëmijëve çdo vit, por sivjet, deri më 12 prill ishin diagnostikuar 13, me simptomat më të zakonshme të vjella, dhimbje barku dhe verdhëz.

Simptoma të tjera të mundshme janë urina e errët, kruarja e lëkurës, ngurtësimi i kyçeve, dhimbjet e muskujve, temperatura, përgjumja, humbja e oreksit, etj.

Disa të prekur ishin infektuar me koronavirusin SARS-CoV-2 në javët apo muajt e mëparshëm, ndërsa asnjë nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19, kështu që u përjashtua mundësia që rastet të shoqëroheshin me një efekt anësor të vaksinës.

Rreth gjysma e fëmijëve të sëmurë u zbulua se kishin adenovirus, një klasë virusesh që shkakton të vjella, diarre, konjuktivit dhe simptoma të ftohjes, por shumë rrallë hepatit.

Pasojat vijnë dhe nga karantina

Izolimi i fëmijëve të vegjël gjatë bllokimeve pandemike mund t’i ketë bërë ata më të cenueshëm imunologjikisht sepse nuk ishin të ekspozuar ndaj shumëllojshmërisë së zakonshme të viruseve, duke përfshirë adenoviruset.

"Ne po shohim një shpërthim të infeksioneve tipike virale të moshës pediatrike. Kjo po ndodh ndërsa fëmijët kanë dalë tashmë nga bllokimi.

Po ashtu po shohim dhe një shpërthim të infeksioneve adenovirus, por nuk mund të jemi të sigurt që njëri po shkakton tjetrin," tha Will Irving, një virolog klinik në Universitetin e Mbretërisë së Bashkuar, Nottingham.

Simptomat të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje janë:

Verdhëza

Hiperpigmentimi i urinës dhe/ose çngjyrosje e jashtëqitjes

Kruarje

Artralgji / mialgji

Ethe

Lëvizshmëri e tepruar

Të vjella ose dhimbje barku

Përgjumje e shpeshtë