Transmetuar më 20-04-2022, 15:13

Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane “WELT”, ku ka folur ndër të tjera dhe për luftën në Ukrainë.

Sipas tij, ka një arsye se pse ndodhi sulmi nga ana e Rusisë, dhe nuk ka të bëjë më “butësinë” e Perëndimit, por nevojën e Moskës si fuqi ushtarake për të treguar që rreziku i luftës është real. Ai e krahasoi Rusinë me Shqipërinë komuniste, ndërsa tha se diktatorë si Putini dhe Hitleri nuk kanë nevojë për justifikime për gjëra të tilla.

"Është në natyrën e këtyre lloj regjimeve të ndjekin atë rrugë. Kur një vend i madh shpenzon kaq shumë para për t’u bërë një fuqi ushtarake botërore, ndërsa është ekonomikisht i pafuqishëm, ai do të përdorë fuqinë e tij ushtarake. Sepse duhet të tregojë se rreziku është real dhe të shkosh në luftë është një gjë ekzistenciale. Regjimi ynë komunist shpenzoi shumë para për të ndërtuar gjysmë milioni bunkerë për të na bërë të ndiheshim të kërcënuar për jetën, ndërsa Shqipëria ishte e varfër sa më s’ka. Diktatorët si Putini, Hitleri dhe Stalini nuk kanë nevojë për një justifikim për të bërë ndonjë veprim”-tha Rama.