Transmetuar më 19-04-2022, 22:02

Turqia dënon një këngëtar për “inkurajimin e konsumimit të drogës”. Vendimi u shpall sot nga një gjykatë në Stamboll, raporton noa.al duke cituar avokatin e këngëtarit në një deklaratë për DPA.

Gjykata ka dënuar reperin e njohur Murda me mbi katër vjet burgim, pasi tekstet e këngëve të tij kanë “inkurajuar konsumimin e drogës”.

Akuzat i referohen tri këngëve të këtij këngëtari, njëra e titulluar “Eh Baba” që ka mbi 116 milionë shikime në YouTube. “Kam mbështjellë një cigare [me marihuanë], më trullosi”, thuhet në një prej teksteve të këngëve të tij.

Mehmet Önder Doğan, emri i vërtetë i Murda, 38 vjeç, është njëkohësisht edhe shtetas holandez. Aktualisht ai jeton atje dhe vendimi ndaj tij është dhënë në mungesë. Murda, këndon kryesisht në gjuhën turke dhe është mjaft i njohur në Turqi.

Avokati i tij, Ümit Gürkal Egemen, tha se do të apelojë këtë vendim që e cilësoi si “të padrejtë”.

Më herët në 2018, reperi i njohur turk, Ezhel, u arrestua për shkak se tekstet e këngëve të tij promovonin përdorimin e drogës, por më pas ai u lirua nga akuzat.

Në Shqipëri, thuajse të gjithë këngëtarët e muzikës rep dhe rryma të tjera muzikore, lirisht dhe pa asnjë respektim normash shoqërore, inkurajojnë drogën madje dhe e përdorin atë pa iu frikësuar të tilla nismave si këto në Turqi.