Transmetuar më 14-04-2022, 08:40

Ka një version tjetër për përdhunimin e dyshuar të nxënëses 17-vjeçare nga një shqiptar – i cili fillimisht u tha se ishte pakistanez dhe ky version vjen nga nëna e 27-vjeçarit.

Pas arrestimit të djalit të saj pasditen e së martës 12 prill, nëna e 27-vjeçarit pohon se ajo ishte në shtëpi në Agia Varvara, mbrëmjen e 11 prillit kur djali erdhi bashkë me një shoqe.

Nëna foli me gazetën greke To Proto Thema dhe shpjegoi se i biri erdhi në banesë me një vajzë dhe për aq sa qëndruan dëgjoi vetëm të qeshura nga dhoma ku rrinin.

“Djali im hyri në shtëpi pak pas orës 9 të mbrëmjes dhe më tha ‘mos më shqetëso, do të jem në dhomë me një vajzë’. Nuk dëgjova zhurmë apo të bërtitura siç thonë, dëgjova vetëm të qeshura ”, pohon ajo dhe shton:

"Çfarë ndodhi më pas, ishte e papritur. Policia hyri në shtëpi të nesërmen dhe më kërkoi djalin. Fillimisht as që e kuptova që ishin policë, nuk më shkoi mendja”, tha nëna e të akuzuarit për përdhunimin e 17-vjeçares.

Nëna madje shton se në shtëpi, ishte dhe një i afërm i tyre natën kur djali erdhi me një vajzë.

Djali 27-vjeçar është arrestuar dhe po mbahet në burg, ndërsa ditën e premte pritet të dalë në gjykatë nën akuzën për përdhunim të nxënëses 17-vjeçare.

Autoritetet pohojnë se mbështeten vetëm tek pretendimet e vajzës, në akuzën e ngritur ndaj 27 vjeçarit.

Sipas hetimit, 27-vjeçari ishte takuar me të miturën nga Kamatero pasi ishte njohur disa ditë më parë përmes një platforme takimesh ku kanë shkëmbyer llogaritë e tyre në Instagram dhe kanë vazhduar bisedën.

Sipas denoncimit të vajzës, pasditen e të hënës kanë rënë dakord të takohen. Djali ka shkuar në banesën e saj ta marrë, kanë dalë të dy dhe kanë shkuar në park. Më pas ai e ka ftuar të shkojnë në shtëpinë e tij. Vajza thotë se kjo është bërë me dhunë dhe shton se kur u futën në dhomë, ai ndezi televizorin dhe e përdhunoi.

Rreth 35 minuta më pas, kanë dalë dhe djali e çoi me motor në shtëpi ku sipas saj i tha: "Mos më denonco, sapo kam dalë nga burgu dhe më fusin prapë brenda".

Policia tha se gjeti gjurmë gjenetike të të dyshuarit në rrobat e vajzës. /noa.al