Transmetuar më 01-04-2022, 15:12

Hiqet masa e ndalimit të grumbullimeve në Shqipëri. Kështu deklaroi ditën e sotme kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli, në daljen e fundit të Komitetit për masat anti Covid. Ajo bëri të ditur se do të mbeten në fuqi masat e tjera, për personat që hyjnë në Shqipëri, të cilët duhet të paraqesin pasaportë vaksinimi ose test PCR, ndërsa karantinimi në rast pozitiviteti mbetet 5 ditë.

“Duke u bazuar në analizën e situata, komiteti i ekspertëve ka vendosur heqjen e numrit të kufizimeve deri në 50 persona, mbetet në fuqi masa që të gjithë shqiptarët që futen në vend duhet që të dorëzojnë pasaportë vaksinimi, test brenda 72 orësh dhe provë të kalimit të Covid deri në 6 muaj. Ndërsa të shqiptarët rezident duhet që të izolohen në rast të prekjes nga Covid deri në 5 ditë. Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore të mos futen familjarët e pacientëve, punonjësit e administratës e kanë të detyrueshme dokumentin e kalimittë Covid dhe certifikatën e vaksinimit”, ka thënë Rakacolli.

Masat që beten në fuqi:

-Ata që janë të infektuar me virusin Sars Cov 2, pra që kanë rezultuar pozitivë me Covid do të qëndrojnë të izoluar për 5 ditë, nga 10 ditë që ka qenë përpara;

-Vaksinimi është i këshillueshëm të fillojë që nga mosha 12 vjeç;

-Për të gjithë qytetarët që hyjnë në Shqipëri duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit ose testit PCR negativ të kryer 72 orë para nisjes, dhe për ata që nuk kanë këto dokumente duhet të qëndrojnë të izoluar për 5 ditë. Përjashtim nga ky rregull vetëm fëmijët deri në 6 vjeç;

-Në aeroporte do të lejohet të futen vetëm pasagjerët që udhëtojnë.