Transmetuar më 29-03-2022, 14:20

Një nënë, e cila në një moment e ka gjetur vetën duke jetuar në rrugë së bashku me të birin, ka zbuluar se si e ka ndryshuar jetën e saj tërësisht dhe tani drejton një kompani miliona paund.

Ajo është Natasha Graziano, e cila jeton në Vancaouver të Kanadasë. Borxhet e saj të mëdha e lanë atë dhe djalin e porsalindur, Rio, tani 5 vjeç, të pastrehë.

Por pavarësisht kësaj, ajo ishte e vendosur që të përmirësonte jetesën e saj dhe të birit. Natasha tashmë i ka mbyllur borxhet dhe është një trajnere e jetës në një komunitet prej 10 milionë banorësh.

Libri i saj frymëzues, “The Action Plan”, është i suksesshëm dhe “Forbes” e ka quajtur Natashan “folësen numër një motivuese femër nën 40 vjeç”, një ndryshim që ajo bëri vetëm në tre vjet.

E teksa Natasha tani është një frymëzim për miliona njerëz, ajo ka pranuar se iu deshën vite që të mësonte të motivonte veten.

Duke folur ekskluzivisht për “Fabulous”, ajo tha: “Gjithmonë e kam parë filxhanin si gjysmë të zbrazët dhe jo gjysmë të mbushur. E kur e shikon botën kështu, e ul veten”.

“Pavarësisht nëse e besoni apo jo, ligji i tërheqjes po ndodh”, ka shtuar Natasha, e cila gjashtë vjet më parë kishte 150 mijë paund borxh dhe nuk mund të shihte asnjë rrugëdalje nga situata e saj.

“Ishte shumë e vështirë të pranoja se kisha nevojë për ndonjë ndihmë, por kur ke borxh kaq shumë, ke kaq shumë turp dhe faj dhe ndjen se bota thjesht po të shmang. Kur u detyrova të largohesha nga shtëpia për shkak të borxheve, u detyrova të shisja gjithçka. Kisha vetëm dy valixhe dhe kosha të zinj në pjesën e pasme të karrocës së djalit”, ka treguar ajo, e cila më herët ka punuar edhe si modele.

Më pas ajo ka treguar se ka shitur bizhuteritë e saj që të blinte një shtrat për djalin e saj. Natasha shkonte vazhdimisht në dyqanet e ndryshme të dorës së dytë dhe shiste ato pak gjëra që kishte.

E pikërisht një ditë dikush në një dyqan i thotë: “Ti je një vajzë kaq magjepsëse, si je e pastrehë?”.

“U kërkova të panjohurve të më bënin foto me veshjet dhe i postova në Instagram, duke etiketuar markat që kisha veshur, nëse ishte PLT apo Boohoo. Më pas një nga markat u kthye dhe tha në të vërtetë ne duam t’ju paguajmë 150 dollarë (90 £) për të përdorur imazhin”, zbulon ajo.

Por ndërsa Natasha po kthente ngadalë të ardhurat e saj, ajo u përball me një sfidë tjetër. Ajo u diagnostikua me një formë të rrallë të tiroides tepër aktive të quajtur hipertiroidizëm. Si pasojë, ajo u detyrua të zhvendosej në bodrumin e nënës së saj në Oksford, në mënyrë që të mund të ndihmonte për t’u kujdesur për djalin e saj.

Asaj i ishte thënë se do të merrte ilaçe për gjithë jetën, por brenda 6 muajsh ajo ka hequr dorë prej tyre. Natasha u shpreh se e kishte mësuar veten që të besonte në mendimet pozitive dhe te energjia pozitive.

Tre vjet pasi e gjeti veten të pastrehë, Natasha publikoi librin e saj të parë dhe kishte ndryshuar plotësisht jetën e saj, duke përdorur 90 £ që fitoi në Instagram për të krijuar ngadalë të ardhura të mjaftueshme për të filluar biznesin e saj.

Natasha është krijuesja e metodës së njohur të Sinkronizimit të Sjelljes Medituese (M.B.S), ku bashkon teknikat e lashta të frymëmarrjes, meditimin, riprogramimin e mendjes në vendet më të larta të vetëdijes në gjendjet alfa dhe teta dhe neuroshkencën të gjitha në një ushtrim.

“The Sun” shkruan se njohuritë e Natashës kanë fituar mbi 1 miliard shikime dhe programet e saj kanë ndihmuar mbi 1.5 milionë njerëz të transformojnë jetën e tyre.