Transmetuar më 19-03-2022, 14:56

Teksti i mëposhtëm është marrë nga një dokument zyrtar me firmë dhe vulë. Iu drejtohej dje mjekëve të familjes dhe poliklinikave të një rrethi, ku iu kërkohet të pezullojnë analizat për pacientët gjatë pjesës së mbetur të muajit mars (pothuajse 2 javë).

Jo vetëm kaq! Edhe mjekëve të urgjencës iu kërkohet që të triazhojnë pacientët dhe të dërgojnë për analiza vetëm pacientët në gjendje të rëndë. Për pacientët e shtruar në spital, urdhëri kërkon që "të kufizohen ekzaminimet laboratorike të panevojshme"!

Ndërsa dy urdhëresat e para janë kriminale në natyrë, pasi i privojnë pacientët nga një ndërhyrje që mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes, urdhëresa e tretë tregon se sistemi shëndetësor ka falimentuar.

Vetëm klarinetistët dhe kimistët që drejtojnë prej 9 vjetësh sistemin shëndetësor mund t’iu kërkojnë mjekëve të shmangin ekzaminimet e panevojshme. Çfarë do të thotë "ekzaminim i panevojshëm"??!! A ka protokolle ky shtet dhe ky sistem shëndetësor apo punon qesim si në shekullin e 19-të??!!

Nëse mjekët dhënkan "ekzaminime të panevojshme", a ka kontroll cilësie dhe sigurie të pacientit?! A ka kontroll për mënyrën se si shpenzohen burimet financiare, të cilat edhe në sistemet më të pasura shëndetësore trajtohen me vëmendje maksimale?!

Kur mjekët dhe specialistët e menaxhimit shëndetësor flisnin për rrezikun që vinte nga PPP-ja e laboratorëve, askush nuk e mendoi se situata do të arrinte deri në këtë pikë. Ata mjekë që marrin urdhëra të tillë kanë vetëm dy zgjidhje:

1. Ose të dorëzojnë vulën e mjekut dhe përparësen e bardhë.

2. Ose të paraqiten pranë prokurorisë për të denoncuar drejtuesit xhahilë dhe halldupë.

Ndërkohë, pacientët, të cilëve së shpejti do t’iu vijë një mesazh për t’i njoftuar se ekzaminimet e planifikuara për muajin mars do të shtyhen për në muajin prill, kanë vetëm një zgjidhje: PROTESTËN!

Ky është shteti yt i kalbur Borat! Kjo është shëndetësia jote e falimentuar! Mjaft me bojatisje dhe mbjellje bari! Nëse nuk iu garanton dot shqiptarëve një shëndetësi të shekullit të 21-të, të paktën mos i degdis në shekullin e 19-të…