Transmetuar më 23-02-2022, 14:30

Kosova dhe Serbia pranë marrëveshjes për disa pika.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajckak, ështe shprehur se pas 11 orë negociata intensive janë afër marrëveshjes për disa dokumente mes Kosovës dhe Serbisë pa specifikuar se në cilat çështje do të merren vesh palët. Dje në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar takime dypalëshe me BE-në, ku janë diskutuar energjia dhe personat e zhdukur.

Lajcak ka shkruar se hapi i fundit në kuadër të arritjes së marrëveshjes është më i vështiri por që puna vazhdon.

“Pas 11 orëve të negociatave intensive dje, jemi afër për të arritur marrëveshje në disa dokumente. Por si zakonisht, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar Lajcak.

Të martën, 22 shkurt, në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e Bashkimit Evropian por nuk ka pasur një takim të përbashkët midis Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës njoftoi të mërkurën se gjatë takimeve dypalëshe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese.

“Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet në një njoftim.

Po ashtu thuhet se është diskutuar për për çështjen e personave të zhdukur dhe targat e veturave.

Megjithatë, në njoftim nuk është treguar pse nuk është mbajtur takimi i përbashkët me palën serbe, edhe pse i njëjti ishte paralajmëruar.

I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk është prononcuar pas takimeve ndërsa gjatë ditës ka deklaruar se bisedimet ishin “intensive” për një sërë temash konkrete.

Ndërkaq pala serbe ka thënë se me Lajçak kanë folur për nevojën për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.