Transmetuar më 16-02-2022, 08:38

Nesër mbushen 14 vjet nga pavarësia e Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe ai i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, kanë uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Në letrën e urimit presidenti Biden ka thënë se SHBA-të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.

Osmani ka marr letër urimi edhe nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, nëpërmjet ambasadorit Jorn Rohde, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

Joe Biden & Frank-Walter Steinmeier:

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thekson në letër Biden. Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrahë ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli I Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij”, shkruan presidenti amerikan Joe Biden në letrën e tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e bërë publike letrën përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se SHBA-ja mbetet partner i palëkundur i Kosovës.

“Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës. Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë”, shkruan Osmani.

Ajo shton se, “Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të”.

Ambasadori gjerman Jorn Rohde i përcolli presidentes Osmani urimin e presidentit gjerman për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili i ka dorëzuar asaj telegramin e urimit të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës.

Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon. Palët diskutuan edhe për punën e institucioneve të Kosovës të cilat kanë realizuar reforma përmbajtjesore në fushën e sundimit të ligjit.

Ambasadori Rohde ka vlerësuar përparimin e dukshëm në luftën kundër korrupsionit. U diskutua se me parametra të tillë, të cilët ndihmojnë në forcimin e rendit dhe të ligjit, krijohen kushte për investitorë të jashtëm.të ditë pushimi.