Transmetuar më 02-02-2022, 15:40

Ndërron jetë Anastas Kristofori, aktori mjaft i dashur për shqiptarët. Kristofori u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ai ishte stereotip i kinematografinë shqiptare.

Lindi në fshatin Vuno të Vlorës në 28 nëntor 1943. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë në vitin 1970. Menjëherë pasi përfundoi studimet, u emërua në Teatrin Popullor.

Kristofori u aktivizua në shumë shfaqje teatrale duke luajtur në shfaqjetL Vajza pa prikë (1970), Familja e Peshkatarit, Duke gdhirë viti ’45, Shënomëni dhe mua, Komunistët, Nën dritat e skenës, Shkallët. Në teatër, paraqitjet e tij kulmuan me drejtor Perikliun në komedinë “176”, e cila mban rekordin për numrin më të madh të shfaqjeve në historinë e artit shqiptar. Komedia vazhdoi me një pjesë të dytë në vitet 1998-1999.

Ai interpretoi dhe në “Prefekti”, “Arturo Ui”, “Epoka para gjyqit” etj.

Në kinematografi, Anastas Kristofori interpretoi në filmat “Besa e Kuqe”, “Kush vdes në këmbë”, “Dora e ngrohtë”, “Lulekuqet mbi mure”, “Vendimi”, “Misioni përtej detit”, etj.

Për kontributin e tij në artin shqiptar, Anastas Kristofori u shpërblye me titullin “Artist i Merituar”. Ai doli në pension në vitin 2003.

Karakteristikë e aktrimit të Kristoforit mbeten zëri i thellë, vërtetësia e ndjenjave, qesëndia, ironia ndaj tjetrit, nga njëra anë, dhe pezmi dhe dëshpërimi ndaj vetes dhe fatit, nga ana tjetër.

Kristofori vlerësohet dhe për recitimet pasionante të poezisë shqiptare. Ai drejtoi për disa kohë dhe Teatrin Kombëtar.

Varrimi i tij do të bëhet nesër në vendlindje.