Transmetuar më 01-02-2022, 09:40

Astronomët australianë kanë zbuluar një objekt të çuditshëm rrotullues në Rrugën e Qumështit që sipas tyre nuk ngjan me asgjë të njohur më parë në Univers.

Sipas një artikulli të publikuar në revistën Natyra, objekti, i cili u zbulua në fillim nga një student astronomie, emeton radioaktivitet elektromagnetik, tre herë në orë.

“Është shumë emocionuese, zbulimi i një objekti totalisht të panjohur, është e pabesueshme. Gjatë jetës time kam zbuluar një yll neutroni, një galaksi, kam bërë vëzhgime përgjatë gjithë universit dhe kam gjetur shumë gjëra interesante, por të gjitha ishin objekte të njohura më parë. Kjo është hera e parë që kam gjetur diçka komplet të papritur që askush nuk mund ta imagjinonte që të mund të prodhonte këto lloj emetimesh”, Natasha Hurley-Walker, astrofizikante.

Valët e prodhuara emetohen çdo 18.18 minuta. Objekte që lëshojnë energji në Univers dokumentohen shumë shpesh.

Por, hulumtuesit thanë se është shumë e pazakonshme që një objekt të lëshojë energji për orë të tëra.

Ekipi i shkencëtarëve tha se po kryen hulumtime të mëtejme për të kuptuar se pse ka ndodhur kjo.

Objekti fillimisht u zbulua nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty. Ai kishte përdorur një teleskop dhe një teknikë të re, që e ka zhvilluar vetë, kur e ka detektuar këtë objekt.

O’Doherty ishte pjesë e ekipit të udhëhequr nga astrofizikantja Natasha Hurley-Walker nga Universiteti Curtin dhe nga Qendra Kombëtare për Kërkime të Radio Astronomisë (ICRAR).

ICRAR shtoi se në bazë të të dhënave, ekipi ka arritur të vlerësojë se objekti gjendet rreth 4,000 vjet dritë larg nga Toka.

Ky objekt, sipas shkencëtarëve, ishte jashtëzakonisht i shndritshëm dhe kishte një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme.