Transmetuar më 24-01-2022, 20:41

Arritën të shkojnë te kasaforta dhe po e shkrinin për ta hapur, por aty u ndodh e papritura.

Policia ka arrestuar dy shqiptarë që po grabisnin banesën e Gianni Rivera, ish-futbollisti dhe politikani i njohur italian.

Ata u kapën me një aparaturë metalshkrirëse, që mendohet se do ta përdornin për të shkallmuar kasafortën brenda shtëpisë, ku Rivera mbante sendet me vlerë.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Trevit. Dy shqiptarëve u ka dalë situata nga kontrolli pasi nga pakujdesia me aparaturën metalshkrirëse besohet se i kanë vënë pa dashje flakën gjithë shtëpisë.

Duke u ikur flakëve me një pjesë të sendeve me vlerë të grabitura, ata kanë dalë me vrap jashtë, por aty janë vënë menjëherë në pranga nga policia.

Gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua si provë një medalje të marrë nga Milani, një fanelë origjinale e Ibrahimoviç, një medalje e ligave amatore dhe rreth 6 mijë euro.