Transmetuar më 24-01-2022, 17:10

Një ngjarje tronditëse ndodhi para pak ditësh. Fatime Suli u gjet e mbytur dhe e hedhur në një kanal uji e mbuluar me gjethe.

I dyshuari për vrasje, Fetah Marra, ka rrëfyer sot se sherri mes fqinjëve ka nisur për paratë e mbarështimit të dhive. Konkretisht Marra është shprehur se i ka huazuar cjapin Sulit që t’i ndërzente dhitë dhe në këmbim do t’i merrte 60 mijë lekë të vjetra, para të cilat fqinja e krushka nuk ia ka dhënë. Ditën që ndodhi dhe krimi, Marra ka treguar se ka shkuar t’ja kërkojë paratë, por ka qenë edhe i pirë e për këtë arsye debati mes tyre ka degraduar.

“Fatimeja më kishte 60 000 mijë lekë (të vjetra) nga mbarështimi i tufës së saj dhe unë shkova për t’ja kërkuar. Kur shkova atje e pashë shumë afër duke biseduar me një bari tjetër, Izetin, dhe u largova. U ktheva përsëri 1-orë më vonë, isha i pirë dhe pasi e pashë vetëm iu afrova dhe i kërkova lekët. Ajo filloi të bërtiste e të më gjuante me gurë dhe unë e kapa nga prapa në fyt dhe e shtrëngova. Pas disa sekondash ajo ra në tokë pa ndjenja. E shkunda disa herë dhe kur e pashë që nuk po merrte frymë e kuptova që kishte vdekur. Nga frika se mos me zbulonin, e tërhoqa zvarrë disa metra për ta hedhur në një kanal në afërsi të serave të saj dhe e mbulova mirë me gjethe e rrozga, duke shpresuar që do ta gjenin me vonesë dhe nuk do më fajësonin mua. U largova me vrap mes për mes tokave dhe shkova në shtëpi, kur më doli pija dhe po kujtohesha as vetë nuk e besova që e gjithë kjo kishte ndodhur me të vërtetë deri në momentin që erdhi policia dhe më morën me furgon,”- mësohet të ketë thënë Marra.

Fatime Suli 63 vjeçe, banuese në Kozare të Kuçovës është mbytur me duar nga fqinji i saj mbrëmjen e 20 janarit. Trupi i gruas u gjet i hedhur në një kanal gjysmë i zhveshur dhe i mbuluar me gjethe. Kamerat e sigurisë zbuluan që autori i krimit ishte pikërisht Marra, i cili është lënë pas hekurave.