Transmetuar më 24-01-2022, 11:20

“Ngrohësja 3D e Ministrisë”, ishte simboli i protestës para Ministrisë së Arsimit këtë të hënë në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit.

Në formë reagimi ndaj mungesës së ngrohjes në shkolla kanë ftuar qytetarët për të sjellë ngrohëset e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, duke ironizuar dështimin e sistemit arsimor.

“Është për të ardhur keq që mësuesit heshtin, dhe na porosisin që të mos përmendim emrat e tyre. Mësuesit e kanë të vështirë që të ankohen edhe për ngrohjen, qytetarët janë këtu duke i mbështetur mesuesit, në Tiranë qytetarët në 5 vite kanë paguar taksë për arsimin 26 milionë euro.

Si mund të qeverisësh 26 milionë euro, dhe mos të kesh ngrohje në shkolla?”, ishin deklaratat e aktivistëve, ndërkohë që në zonat më të thella nxënësve iu duhet që të marrin dru zjarri me vete, në mënyrë që të sigurojnë ngrohjen në klasa.

Nuk është hera e parë që aktivistët kanë dalë në protesta paqësore, duke e cilësuar të dështuar sistemin arsimor në vend.

Të gjithë nxënësit janë pushim për tre ditë prej temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë.

Gjithashtu njëri prej prindërve të punësuar në administratën publike, nëse kanë fëmijë të mitur është lejuar të qëndrojë në shtëpi, pa marrë ndëshkime ekonomike.