Transmetuar më 22-01-2022, 11:56

Gjykata e Beratit ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ pa afat për Fetah Marrën, 58-vjeçarin që dyshohet se mbyti, zhveshi dhe hodhi në kanal fqinjën.

Idris Kazazi, avokati i vrasësit të dyshuar ka deklaruar se Marra e ka pranuar krimin dhe ka shprehur pendesë. Në lidhje me faktin që gruaja u gjet gjysmë e zhveshur në kanal, ai ka deklaruar se në momentin e tërheqjes zvarrë për ta hedhur në kanal, i janë hequr tutat.

Të shumta kanë qenë ditën e djeshme edhe reagimet e familjarëve, të afërmve dhe komshinjve të familjes Suli në fshatin Moravë, të cilët janë dyshues në lidhje me shkaqet e vërteta të vrasjes, duke shkuar edhe më tej kur akuzojnë 58-vjeçarin se mund të ketë dashur të abuzojë me gruan 63-vjeçe.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 20 Janarit në lagjen “Havaleas” në fshatin Kozare. 63-vjeçarja Fatime Suli u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga.

Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe më pas njoftuan policinë. Pas një orë kërkimi, ajo u gjet në një kanal rreth 1 km larg banesës së saj.

Nga autopsia rezultoi se shkaku i vdekjes ishte asfiksimi nga mbytja me duar.