Transmetuar më 22-01-2022, 10:17

Një shpërthim me eksploziv ndodhi mbrëmjen e kaluar në Fushë Krujë. Forcat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë ndërsa pronari i dyqanit ku u vu tritoli, Naim Stafuka ka dhënë dëshminë për ngjarjen.

Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale ndërsa mbetet e paqartë arsyeja e shpërthimit.

Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i zhdukur që prej vitit 2015. Ai dyshohet se ka qenë personi që vodhi makinën ku udhëtuan vrasësit e komisar Dritan Lamaj.

Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë të një lokali në qendër të qytetit të Fushë-Krujës 48­-vjeçari i atëhershëm Stafuka merret me forcë nga tre persona të veshur si policë dhe të maskuar. Kanë mjaftuar vetëm 50 sekonda që grabitësit të neutralizojnë 48-vjeçarin teksa aty afër ka ardhur në automjet tip "Golf" në bagazhin e të cilit është futur Stafuka.

Makina më pas është nisur në drejtim të autostradës, ndërsa kanë qenë të afërmit ata që kanë njoftuar forcat e policisë për këtë ngjarje.