Transmetuar më 19-01-2022, 08:56

Jepet alarmi për koronavirus mes kafshëve në kopshtet zoologjike në të gjithë botën. Kjo del nga një studim i Afrikës së Jugut, botuar në revistën “Viruses”.

Studiuesit e udhëhequr nga shkencëtarët e Universitetit të Pretorias gjetën tre luanë dhe dy puma pozitive për Covid-19, me të dhëna që i referohen pozitivitetit të njerëzve, me të cilët kanë qenë në kontakt, disa prej tyre asimptomatikë.

“Fenomeni përbën rrezik për kafshët e mëdha”, – thonë autorët e studimit, i cili filloi pasi tre luanë nga një kopsht zoologjik privat në Johanesburg u sëmurën vitin e kaluar, me vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh dhe kollë të thatë.

Njëri nga të tre shfaqi gjithashtu pneumoni, ndërsa dy të tjerët u shëruan pas simptomave më të lehta. Duke pasur parasysh ngjashmërinë me simptomat e njerëzve që infektohen me Covid-19, kafshët iu nënshtruan një tamponi, duke rezultuar pozitive.

Për të gjurmuar burimin e infeksionit, 12 punonjës të kopshtit zoologjik në kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me to u testuan në mënyrë të ngjashme. Pesë prej tyre rezultuan pozitivë. Sekuenca e gjenomit zbuloi variantin Delta, i cili qarkullonte në Afrikën e Jugut vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, dy puma që shfaqën shenja anoreksie, diarreje dhe rrjedhjesh nga hundët rezultuan gjithashtu pozitive për Covid-19. Të trajtuara, kafshët u shëruan pas tri javësh, por materiali viral i mbledhur rezultoi i pamjaftueshëm për të përcaktuar variantin përgjegjës për infeksionin e tyre.