Transmetuar më 19-01-2022, 08:19

Ka nisur aksioni për shembjen e disa banesave në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë. Pronarët e këtyre banesave nuk kanë rënë dakord me Bashkinë.

Mësohet se Policia ka ndërhyrë me forcë edhe brenda banesave, duke nxjerrë prej aty disa qytetarë. Ndërkohë që kanë nisur shoqërimet e para në radhët e banorëve, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projekt.

Edhe pse shembja e banesave ishte parashikuar që të niste rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, puna në terren ka nisur shumë më herët se orari zyrtar. Ndërhyrja është bërë që në orën 03:00 të mëngjesit, duke fikur fillimisht energjinë elektrike.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës vendosi si afat të fundit ditën e sotme për banorët e “5 majit” që të braktisin banesat e tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët kanë paditur drejtorin e IMT-të Tiranë dhe kanë premtuar se do t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. Ata këmbëngulin se projekti i Unazës së Madhe është ndryshuar dhe nuk është bërë publik. Qytetarët kanë kërkuar bisedime me qeverinë dhe bashkinë dhe të kompensohen sipas çmimit të tregut për prishjen e banesave të tyre.