Transmetuar më 17-01-2022, 21:12

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar hapur në parlamentin shqiptar shkatërrimin e organizatës FETO edhe në Shqipëri. Madje ai ka kërkuar hapa konkretë duke lënë të kuptohet se miqësia e sinqertë ndihma dhe bashkëpunimi reciprok do vazhdojnë vetëm nëse do të ketë rezultate në këtë drejtim.

Në disa deklarata të ndryshme, si në konferencën tek Kryeministria, ashtu edhe në Kuvend, Erdogan e bëri të qartë parakushtin që duhet të plotësojë Shqipëria për të ruajtur vëllazërinë mes dy vendeve. Në sy të kryeministrit Edi Rama, por edhe para gjithë mediave, Erdogan nuk ngurroi që të kërkonte publikisht nga autoritetet shqiptare që të vënë theksin tek lufta ndaj organizatës së Fethullah Gülen (Fetullah Gylen), kundërshtari i Erdogan, duke e konsideruar si një parakusht për miqësinë me Turqinë. Erdogan u shpreh se Shqipëria duhet ta luftojë këtë organizatë, të marrë masa që të mos ketë fatin e Turqisë e mos errësohen marrëdhëniet vëllazërore.

Në fjalën në parlament ai u shpreh se Turqia dhe Shqipëria ka ndërtuar një marrëdhënie që i ka rrënjët e thella, por që edhe Shqipëria mund të rrezikohej nga ‘FETO’. Kësaj here mesazhi ishte më i prerë.

“E kemi përjetuar këtë organizatë. Kemi paguar një kosto shumë të lartë. E quajmë detyrë t’u themi vëllezërve tanë që të mos keni të njëjtin fat siç përjetuam më parë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese tinëzare, aq më e bardhë do të jetë e ardhmja juaj. Nëse nuk veproni, e njëjta gjë si në Turqi, mund të ndodhë në Shqipëri. Shpesoj se Shqipëria do të marrë masa dhe nuk do të lejojë që kjo çështje, të errësojë raportet tona. Shpresojmë që herën tjetër që do të jemi këtu, kjo të ketë marrë fund,”-tha Erdogan, duke vendosur dhe piketat se ku duhet shënjestruar sulmi i radhës.

“FETO si strukturë përbën kërcënim për Shqipërinë. Fatkeqësisht, anëtarët e kësaj organizate vazhdojnë të jenë këtu. Tregojnë ekzistencën e tyre në arsim, institucione fetare dhe në sektorin privat,”-shtoi presidenti turk duke kërkuar pa shumë fshehtësi zhdukjen e çdo institucioni të krijuar në vendin tonë nga kundërshtari i tij politik. Qeveria shqiptare ka nisur të bëja hapa në këtë drejtim me mbylljen e disa shkollave, por ato konsiderohen të pamjaftueshme!