Transmetuar më 17-01-2022, 17:11

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla ka lexuar ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike pas përjashtimit të mbështetësve të Berishës.

Nikolla lexoi vendimin e marrë nga PD për emërimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi, Agron Gjekmarkaj si nënkryetari i ri i Parlamentit dhe me radhë. Lindita Nikolla lexoi emrat e rinj në pozicionet e tyre parlamentare, sipas propozimeve te bera nga Partia Demokratike.

Ajo që bie në sy është emri i Edi Palokës, që ndonëse është përjashtuar nga Basha përshkak të mbështetjes për Berishën, ai vazhdon të jetë anëtar i Unionit ndërparlamentar.

Të përjashtuar janë Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Edmond Spaho, Flamur Noka, Albana Vokshi, etj.

Kjo ka nxitur reagim te ashpër te të përjashtuarve, të cilët e quajnë të paligjshem vendimin. Ja reagimet e tyre:

Deputeti Edmon Spaho: Nuk e kisha menduar kurrë se Lulzim Brava do na sillte në kohën e diktaturës kur përjashtohen njerëzit dhe internohen, unë tani pres të më vijë njoftimi për internim mbase në fshatin Grabian të Lushnjës. Nuk më përjashton dot mua njeri nga grupi i PD, pse? Sepse kam ardhur kur tërhiqnim me zinxhrë bustin e Leninit. Nuk më përjashton dot ai i cili futi njerëz të inkriminuar brenda selisë. Nuk ka të ardhme me këtë njeri që ka humbur katër palë zgjedhje dhe prapë hiqet si e ardhmja e shqiptarëve me një njeri që mashtron anëtarët. Por do i vijë dita mos të kujtojë se demokratët do e lënë me kaq këtë.

Oerd Bylykbashi: Ju jeni në kundërshtim me ligjin. Zonja kryetare ne jemi deputetë të Republikës së Shqipërisë dhe mandati ynë nuk e cakton grupi parlamentar. As ju dhe as ky Kuvend nuk e ndryshon grupin parlametar që është lexuar në shtator. Vetëm kur ne kemi dëshirë të largohemi vetë mund të largohemi. Përtej njoftimit që bëtë, që është i paligjshëm, sepse personat që e kanë sjellë nuk kanë funksion në PD. Rregullorja po shkon nga poshtë lart. Nuk përcakton asnjë të drejtë që i heq tagra përfaqësimi deputetëve. Ne jemi deputetë të PD-së. Cënohet demokracia dhe përfaqësia. Këtu ka vetëm një deputet që mendon se marrëveshja politike është mbi Kushtetutën. Rikthehem te rregullorja. Nuk ka asnjë term që flet për përjashtimin e deputetit nga grupi parlamentar. Ka nen për ndryshimin, që i jep të drejtë deputetit që të shkojë ne grup tjetër parlamentar me vullnetin e tij. Deputetët formojnë grup parlamentar dhe jo aprtitë politike. Përfaqësojmë këtu PD-në. Kemi pranuar ne kandidimin për PD-në, jemi deklaruar deputetë të saj dhe grupi parlamentar nuk na e heq këtë tagër. Ju bëtë njoftimin dhe kaq. Por nëse shkoni më tej dhe thoni se ekzekutohet vlefshmëria e këtij njoftimi, atëhere kjo është shkelje. Lijeni si njoftim. Ju nuk keni të drejtë të shkelni kushtetutën. Rregullorja e parlamentit është mbi ccdo statut partie. Mos shkoni duke konkluduar se ky vendim sot është i ekzekutueshëm.

Flamur Noka: Megjithëse me vonesë u informova nga kolegët për një farsë që ju sot sapo e lexuat. E di mirë se ju jeni e pafajshme sepse keni marrë urdhër nga kreu i regjimit dhe nga shoqata e bravave. Ju e dini mirë se pa këtë shoqatë jeni të mbaruar. Mendoni se pluralizmin do e shuani apo do e kontrolloni. Deputetët nuk janë peng pavarësisht se ju keni marrë peng anëtarët e bandës së bravave. Nuk mund t’u përcaktojë përkatësinë askush tjetër përveç atyre demokratëve që i kanë votuar. Ju bëj me dije se në shkresën e dërguar ndaj jush, Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit të PD ka marrë vendime dhe në atë shkresë që ju kemi përcjellë i keni vendimet.

Është shkarkuar çdokush tjetër dhe deri në 22 mars PD-në e përfaëson vetëm ky komision. Se nuk shihni kjo është punë e juaj, por shkresa ju ka ardhur me firmë dhe me vulë. Ju komunikoj se ka vetëm një organ të ligjshëm dhe ky është Kuvendi Kombëtar, çdo document tjetër nga shoqata e bravave është nul. Sot ju kemi nisur edhe një tjetër shkresë që ju informon. Ju pengun mund ta mbani dhe mund t’ja ndërtoni bunkerin edhe në Surrel.

Belind Këlliçi: Meqë po përmendi rregulloren, ju ve në dije se formimi i grupeve parlamentare: 1.Deputetët formojnë grupe parlamentare. 2. Kërkohet minimumi i 7 deputetëve. Ai që largohet nga grupi parlamentar mund t’i bashkohet një grupi tjetër pas 6 muajsh. Pra kur largohet vetë. 3. Kur numri i deputetëve bie nen minimumin e caktuar pushon grupi parlamentar. 4. Deputeti deklaron te cili grup parlamentar bën pjesë. 5. Çdo deputet ka të drejtë të largohet nga grupi parlamentar, por duke paraqitur kërkesë me shkrim burosë së kuvendit. Unë nuk di të ketë shkresë të tillë. 6. Deputetët bëjnë deklarimet me shkrim kujt grupi i përkasin, dhe kjo është kryer. Ku e keni dispozitën që jeni bazuar për atë njoftim që bëtë? Kjo që lexova është rregullorja e Kuvendit. Është e trishte që ju zonjë merrni përsiper të lezoni kush janë deputetët e PD-së. Ju kërkoj sinqerisht të zbatoni detyrën tuaj kushtetuese dhe tërhiqni njoftimin që bëte, sepse nuk është tagër i juaji.