Transmetuar më 17-01-2022, 11:31

Është shtyrë edhe sot seanca në ngarkim të ish-ministrit Saimir Tahiri në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Shkak për shtyrjen gjatë ditës së sotme është bërë fakti se prokurorët e çështjes janë infektuar nga Covid 19. Vladimir Mara dhe Dritan Prençi nuk ishin të pranishëm në seancë.

Edhe seanca e javës së kaluar u shty, për shkak se gjyqtari Florjan Kalaja kërkoi kohë që të njihej me dosjen. Seanca e kaluar u shty nga gjyqtari i çështjes pasi kërkoi të njihej me dosjen, pas ndryshimit të trupës gjykuese për Tahirin.

Kujtojmë se vendimi më 28 shtator i Gjykatës së Lartë e rikthye për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese. Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar.

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.