Transmetuar më 17-01-2022, 07:24

Dalin rezultatet e para të referendumit në Serbi për ndryshimet kushtetuese në lidhje me sistemin e drejtësisë. Pas numërimit të kutive të para të votimit, rezultatet tregojnë se 60.48% e votuesve janë shprehur pro ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga qeveria serbe, ndërsa 39.52% kanë thënë “jo”. Rezultati paraprak u konfirmua nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili shpalli fitoren, edhe pse nuk ka përfunduar numërimi përfundimtar.

Pjesëmarrja në referendum u vlerësua 31%.

Qeveria serbe propozon se klasa politike në vend nuk duhet të ndikojë lidhur me emërimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.

Lidhur me procesin presidenti Vuçiç u shpreh se “Serbia i dërgoi botës një imazh pozitiv dhe besoj se do të kemi sukses në realizimin e më shumë gjërave për vendin tonë në lidhje me demokratizimin, pavarësinë e drejtësisë dhe prokurorëve. Mendoj se kemi bërë diçka të mirë për vendin tonë”, deklaroi para mediave presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas Vuçiçit, janë 1.892.252 vota, ndërsa ka shtuar se numërimi ka mbetur në Novi Pazar dhe Vozhdovac.