Transmetuar më 16-01-2022, 12:50

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në një takim me demokratët në Fier, ku ka dhënë një mesazh duke i thënë të gjithëve që të lënë pas të shkuarën.

Ndër të tjera u shpreh se takimi i sotëm ka një rëndësi të veçantë, pasi është i pari pas ngjarjes traumatike të 8 janarit. Sipas kryedemokratit, mesazhi që sot japin demokratët në Fier është se shqiptarët zgjedhin të ardhmen.

“Jam thellësisht mirënjohës për praninë në këtë sallë të themeluesve të PD, në të gjitha degët e Fierit, të atyre që në ditët më të vështira, por edhe në ditët më të bukura, të kohërave më të çmendura, por edhe kohërave të mendimit më të pastër, të ndryshimit të madh 90-91 janë sot këtu krah për krah bijave, nipërve e mbesave të tyre. Ju them nga zemra faleminderit.

Faleminderit për praninë tuaj në këtë takim, që ka një rëndësi të veçantë dhe është domethënës, sepse është i pari që zhvillojmë pas një ngjarjeje traumatike për demokratët, shqiptarët, sic ishte ajo e 8 janarit.

Me praninë tuaj, me zërin që ushton, me sytë plot shpresë nga e ardhmja që kemi vendosur të ndjekim, duke lënë pas hijet e të shkuarës, nga Fieri oshtinë sot mesazhi se zgjedhim të ardhmen për veten tonë, për partinë tonë dhe për familjen tonë politike”, tha Basha.