Transmetuar më 15-01-2022, 19:14

Zonjat e publikut në emisionin e Rudina Magjistarit, i janë rikthyer programit pas një kohe të gjatë shkëputje prej pandemisë Covid-19. E në fakt jo të gjithë zonjat e publikut janë rikthyer në emision. Një prej tyre fatkeqësisht është ndarë nga jeta në Korrik të këtij viti si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Pikërisht zonja Llambrini Kona, e cila ka qenë një nga zonjat më të dashura që ka qenë pjesë e programit. Për të folur më gjatë e ftuar në studio ka qenë e bija e saj, Denisa Kona.

Rudina Magjistari: Ne sot kemi në studio vajzën e saj, Denisa Konën, e cila jam e sigurtë që është në një moment shumë të vështirë. Unë të kam shprehur të gjithë ngushëllimet e mia sepse më ka ardhur shumë keq për Llambrininë.

Denida Kona: Faleminderit Rudina! Këtu sot duhet të ishte Llambrinia në emisionin që e priste me padurim.

Rudina Magjistari: Ajo gjithmonë është evidentuar. Gjithmonë ka qenë pjesë edhe këtu e ulur mes të ftuarave me rrëfimet e saj. Ti vetë ke qenë e ftuar së bashku me Llambrininë.

Denisa Kona: Kjo lloj ftese ishte gjëja më e papritur në kuptimin që nuk e kisha menduar kurrë që do të vija në emisionin tuaj për të folur për kujtimet e mamasë. Unë jetoj akoma me mamanë time. Të gjitha sendet e shtëpisë flasin për të. Unë kam humbur dhe shoqen e ngushtë timen.

Me të kisha të shkuarën, të tashmen dhe planifikoja dhe të ardhmen. Mungesa e mamasë do të ndihet shumë gjatë. Kur iku babai, mamaja ishte një mbështetje shumë e fortë për të mbushur atë boshllëk që la babai në jetën tonë. Ndërsa tani vendin e mamasë nuk e mbush dot askush tjetër. Është prindi i dytë dhe kur ikën prindi i dytë qenka më e rëndë dhe më e vështirë.

Rudina Magjistari: Çfarë ndodhi në fakt?

Denisa Kona: Ajo që ne kemi ditur gjithmonë që kanceri dhe sistemi imunitar janë shumë të lidhur bashkë. Kur këto ndodhin në mëlçi, sistemi imunitar aty punon shumë dobët dhe shpeshherë nuk i zbulon masat. Këto i kam zbuluar duke lexuar sepse më bënte shumë përshtypje se kishte sistemin imunitar në formë të shkëlqyer dhe nga ana tjetër të ketë zhvillim të një mase kanceroze.