Transmetuar më 15-01-2022, 17:40

Është duke vazhduar mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD. Janë komunikuar edhe ndryshimet në poste të ndryshme. Kështu, Kryetari i Grupit Parlamentar i PD Alfred Rushaj, zëvendësohet nga Enkelejd Alibej.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhunës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do ti propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndajë më së pari me Këshillin Kombëtar të PD, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë.

Fillimisht dua tju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i Grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj.

Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD.