Transmetuar më 15-01-2022, 13:26

Kryeministri Edi Rama përshëndeti 30 vjetorin e krijimit të FRESSH.

Rama ka ftuar të rinjtë që të angazhohen në politikë për të mbushur në mënyrë cilësore kohën mes shkollës apo punës dhe gjumit.

“Ne na ka këtu dhe mua më ka me vete”, theksoi kryeministri teksa nënvizoi se apeli dhe mesazhi i tij ishte për “ata këtu që nuk duan që fjalimi im të mbarojë”.

“Këtu ka nga ata që mezi presin të shkojnë të hanë, ka nga ata që duan që fjalimi im të mos mbarojë se janë të tërhequer nga kjo punë jo nga fjalimi im. Atyre u them besoni e punoni për ëndrrën tuaj se ju mund ta rivendosni në perspektivën e gjeneratës suaj këtë mision të përbashkët për ta rivënë politikën si urë mes nesh e jush në përballjen me sfidat e shumta për të ndërtuar një qytetari aktive të kësaj kohe përmes një force të pamohueshme e pa anshkalueshme që është politika.

Duke besuar tek bërthamat tuaja politike në cdo komunitet me një mozaik angazhimesh shoqërore politike kulturore mjedisore.

Akademia politike do ngrihet për këtë, për të krijuar hapësirë ku ne të përcjellim ekperiencën tonë e ju të kanalizoni energjinë tuaj, duhet të jemi ambicioz se kemi përballë mur të indiferencës së të rinjve ndaj politikës.

Me ambicie por dhe bindje e këmbëngulje s’ka mur të lartë që nuk kapërcehet, të punojmë bashkë për të krijuar një fidanishte të re për politikën shqiptare e për PS ku ne të transferojmë dijen e përvojën.

Ndaj ne jemi këtu e ca të tjerë qëllimin vetjak e kanë të bëjnë plazh tani.

Kush dëshiron t’i largohet vetmisë e plogështisë me mbarimin e orëve të shkollës e të punës e vajtjes në krevat për të fjetur gjumë, të mbrojë trutë e veta nga pasqyrat coroditëse të rrjeteve sociale ti bashkohet bërthamave rinore socialite në kohën e lirë.

Ne na ka me vete mua më ka me vete”.

Në fjalimin përmbyllës nuk munguan as batutat e kryeministrit Rama, i cili tha se politika është edhe për “të të bërë çift”.

“Duke uruar që nëse disa kanë ardhur vetëm nga kjo ditë uroj të jenë çift. Dua pse jo, edhe këtë e bën politika, se nuk je në shtëpi duke bërë chat me një profil fallco që është aty si alamet pjeshke e pastaj të del kungull.

Por je ballë përballë e shikon në sy edhe pjeshkën edhe kungullin. Besojeni këtë që ju them. Politika është shumë e bukur për ta kaluar jetën pa u prezantuar me të”.