Transmetuar më 14-01-2022, 13:30

Në konferencën për shtyp presidenti Ilir Meta është pyetur nga gazetarët nëse do të bashkëpunonte me Sali Berishën, nisur nga situata në PD.

Kreu i shtetit tha se kjo nuk ka sens, sepse sipas tij, pas 25 prillit e ka përfunduar misionin e tij si president por qëndron ende në detyrë për të respektuar institucionin e presidentit.

“Kjo është një pyetje fare pa asnjë sens. Që pas 25 prillit unë misionin tim si president të republikës e quaj të përfunduar por bëj detyrën. Do të kisha dashur që në 26 prill të kisha marrë një drejtim tjetër, sepse njeriu duhet të jetë në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Unë bëra çdo gjë që të mos kapej reforma në drejtësi siç është kapur”, deklaroi ai.

Presidenti komentoi gjithashtu edhe protestën e 8 janarit gjatë fjalës së tij, ndërsa shprehu keqardhjen për dhunën e ushtruar sipas tij nga të dyja palët. Meta tha se policia bëri mirë që ndërhyri, por duhet të japë llogari edhe për denoncimin e bërë nga Belind Këlliçi për vjedhjen e zyrës.

“Shumë mirë bëri policia që ndërhyri atje, por të na thotë çfarë bëhet me denoncimin e Këlliçit që i kanë vjedhur zyrën. Ne duam një shtet të drejtë me të tërë. PS ti zgjidh vetë punët e saj dhe PD vetë. Kështu që i gjithë ky tension artificial është urrejtje ndaj votës së lirë. Në këtë mënyrë nuk mund të kemi një shtet të drejtë”, deklaroi Meta.