Transmetuar më 14-01-2022, 07:56

Kryetari i PD, Lulzim Basha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, sot do të duhet të paraqiten në Prokurori.

Basha dhe Bardhi priten të pyeten për akuzat nëse brenda selisë blu ka pasur persona të armatosur dhe me precedentë penalë.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka u morën në pyetje nga organi i akuzës në lidhje me protestën e 8 janarit.

Hetimet nisën pasi më 8 janar, një grup mbështetësish të PD dhe deputetit Sali Berisha, shkuan në selinë e subjektit, por ajo ishte veshur me hekura në dyer e dritare, kurse, sipas raportimeve në media, brenda ndodheshin persona të armatosur të cilët përdorën forcën dhe gazra toksike për të ndalur depërtimin e demokratëve pro Berishës, në zyrat e Bashës dhe Bardhit.

Më herët, më 11 dhjetor 2021, Sali Berisha organizoi Kuvendin Kombëtar të PD me firmat e një pjese të anëtarësisë. Kuvendi arriti kuorumin dhe e tejkaloi atë dhe vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës.