Transmetuar më 13-01-2022, 22:22

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është pyetur nga gazetari Bledi Fevziu nëse ka të punësuar truproja.

I ftuar në emisionin Opinion, Bardhi tha se ka punonjës të cilët kryejnë shërbime pranë tij, por nuk preferoi që ti quante ata truproja.

“Kam punonjës të cilët kryejnë shërbime pranë meje. Është shoferi im, janë punonjës që ushtrojnë detyrën e tyre pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike”, tha Gazment Bardhi.

Bardhi hodhi më herët akuza kundër policisë duke thënë se është vonuar për të ndërhyrë në protestën e datës 8 janar. Ai thotë se ka folur me disa zyrtarë të lartë të policisë dhe i ishte thënë se duhet të bënte kërkesë më shkrim dhe jo me telefon.

Numri 2 i PD ka treguar se ditën e protestës në selinë e PD ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës, i cili ishte për të mbrojtur Lulzim Bashën.

“Kam njoftuar zv drejtorin e Policisë, e kam telefonuar dhe mbi bazën e kërkesës të disa kolegëve i kam kërkuar që të ndërhynte. Ai ma tha se po njoftonte dhe policia po mbërrinte. Njëkohësisht në seli me mua ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës. Ishte drejtori i mbrojtjes së personaliteteve. Po ashtu dhe drejtori i Gardës njoftoi policinë.

Kam ritelefonuar pas 10 minutash, më pas kam marrë drejtorin e Policisë së Shtetit 4 herë dhe pasi kishin mashtruar delegacionet ndërkombëtar… Pasi kam telefonuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, më ka kërkuar që të dërgojë shkresë zyrtare. E kam njoftuar me mesazh dhe kemi bërë njoftim publik. Më pas ka ndërhyrë policia e shtetit”, tha ai.

Për sa i përket ndërhyrjes së policisë, Bardhi u shpreh se ka qenë brutale, pasi personat që kanë qenë brenda selisë janë rrezikuar nga gazi lotsjellës.

“Së pari policia ishte e vonuar dhe ndërhyrja ishte brutale dhe ka rrezikuar jetën jo vetëm që ata ishin jashtë, por dhe ata që ishin brenda godinës. Ne që ishim brenda nuk dinim ku të shkonim, pasi kishte shumë gaz”, shtoi numri 2 i PD.