Transmetuar më 13-01-2022, 10:43

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka  vendosur të mos shtrëngojë masat për parandalimin e përhapjes së infektimeve, ndonëse kjo është java me pikun më të lartë të rasteve të reja.

Mira Rakacolli tha se shifrat duhet të shihen si arsye për tu mbrojtur më shumë.

Ndërsa Eugena Tomini u shpreh se gripi dhe dy variantet Delta dhe Omicron po bëjnë një qarkullim dhe transmetueshmëri në nivele të larta.

“Sa i përket situatës epidemiologjike në vend, tashmë ka reflektuar një incidencë javore e cila është e rritur, duke reflektuar një përqindje të pozitivitetit të mostrave në 24 orë. E ndjekur sigurisht edhe nga një incidencë e lartë e hasjes së rasteve pozitive në dy javët e fundit. Kjo rritje i atribuohet qarkullimit të dy varianteve, variantit Delta dhe variantit Omicron, por njëkohësisht i atribuohet edhe mosrespektimit të masave dhe grumbullimeve në festat e fundvitit. Aktualisht në vend qarkullon edhe virusi i gripit dhe qarkullimi i gripit bashkë me variantet e Omicron dhe Delta, po bëjnë një qarkullim dhe transmetueshmëri në nivele të larta, por ndërkohë e pareflektuar me një trend të rasteve të hospitalizuara, ku kemi një qëndrueshmëri”, tha Tomini.

Sa i përket vaksinimit, Silva Bino tha se ka një rritje me gati dyfish të personave që marrin dozën e parë të vaksinës.

Masat që mbeten në fuqi janë: • Ora policore vijon 23:00 – 06:00. • Qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme: – Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi. – Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi. – Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. – Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. *Përjashtim nga këto rregulla bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç. • Në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit. • Në të gjithë institucionet shëndetësore, nuk lejohet hyrja e familjarëve për personat që janë të shtruar, sipas protokolleve përkatëse. • Mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane, etj dhe në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. • Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive, etj, deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve. • Grupet e riskut, arsimtarë, studentë, personel shëndetësor, administrata dhe punonjësit e shërbimeve të supermarketeve dhe qendrave tregtare, vijojnë dorëzimin vërtetimin/çertifikatën e vaksinimit ndaj Covid 19 ose çertifikatën e shërimit, të lëshuar nga e-Albania pranë qendrës së punës, në të kundërt do të kërkohet paraqitja në mënyrë periodike e testit PCR çdo javë për të verifikuar infektueshmërinë.