Transmetuar më 11-01-2022, 20:42

Një 57-vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë kryefjalë në mediat botërore, për shkak se në trupin e tij është transplantuar zemra e një derri.

Kjo procedurë është zhvilluar për herë të parë dhe është shpresëdhënëse për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.

Mirëpo, një zhvillim kaq i madh në botën e mjekësisë nuk është mirëpritur nga hoxha kosovar, Shefqet Krasniqi. Sipas tij një veprim i tillë është "degradim dhe haram".

“Në të gjithë librat qiellor derri ka qenë i ndyrë dhe çdo produkt i tij po ashtu. Por që shumë popuj e kanë futur në përdorim pavarësisht ndalimit, ndërkaq çifutët dhe myslimanët vazhdojnë të mos e konsumojnë, andaj përdorimi i këtyre produkteve është për me e degradu fjalën e zotit… Ia kanë humbur çdo vlerë jetës së njeriut, ky është degradim”, ka thënë Shefqet Krasniqi për Klankosovën.

Sipas tij, mjekimi me gjëra të ndaluara është haram, madje në këtë rast edhe më “haram” se alkooli.

“Kjo mund të jetë edhe më e rëndë se pirja e alkoolit për mjekim, pasi alkooli mund edhe të pastrohet nga trupi, ndërkaq kjo mbetet. Pra me e nda trupin me derr është haram. Jo vetëm unë po asnjë mysliman nuk mundet me u pajtu me këtë”, ka thënë Krasniqi.