Transmetuar më 11-01-2022, 16:16

"Gjysma e europianëve do të infektohen nga koronavirusi", deklaroi këtë të martë shefi i OBSH për Europën, Hans Kluge. Sipas tij, infektimet do të ndodhin gjatë dy muajve të ardhshëm duke u transmetuar edhe te të vaksinuarit apo ata që e kanë kaluar kovidin.

“Sot Omicron përfaqëson një valë të re nga lindja në perëndim. Me këtë ritëm parashikimet janë që më shumë se 50% e popullsisë së Europës do të infektohet me Omicron për 6 deri në 8 javët e ardhshme, po përhapet me shpejtësi tani edhe në Ballkan”, tha Hans Kluge.

Megjithatë sipas Kluge, vaksina mbetet mbrojtja më e mirë nga vdekja, apo sëmundja e rëndë edhe në rastin e infektimit me Omicron. Në të gjithë botën deri tani 5.5 milionë persona kanë humbur jetën nga Covid 19.