Transmetuar më 11-01-2022, 12:56

Ekipi i punonjësve të institucionit Parashkollor jopublik në Fier ku humbi jetën një fëmijë 3 vjeç, ka dalë me një deklaratë mbi ngjarjen e dhimbshme:

"Ne jemi ende të shokuar dhe thellësisht të trishtuar për humbjen tragjike të jetës së një fëmije.

Ekipi i 80 punonjësve të këtij institucioni ndan dhimbjen e pamasë për këtë humbje të papritur me të gjithë familjarët e vogëlushit të ndjerë.

Në përpjekje për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie, stafi është vënë tërësisht në dispozicion të autoriteteve për të ndihmuar plotësisht hetimin.

Ne kemi bërë gjithçka për të siguruar mbarëvajtje të plotë në mjediset tona duke respektuar rigorozisht standardet e kërkuara nga autoritetet. Gjithashtu, si në rastin konkret, ne respektojmë standardin e kërkuar për numrin e fëmijëve nën mbikëqyrje të edukatores duke e patur dhe ndjeshëm më të ulët.

Ndërkohë, Bordi dhe stafi ka organizuar një proces komunikimi të hapur me prindërit për të ofruar të gjithë informacionin e duhur për një transparencë të plotë dhe për të marrë çdo sugjerim për përmirësimin e parametrave të sigurisë. Çdo prind e qytetar është i ftuar të kontribuojë.

Duke mbetur në dispozicion të hetimit të autoriteteve ne presim zbardhjen e kësaj ngjarjeje të dhimbshme", përfundon deklarata.

Foto ilustruese