Transmetuar më 10-01-2022, 20:00

Me fitimin e betejës gjyqësore në Melburn ku Djokoviç fitoi të drejtën për të hyrë në Australi, edhe pse ministri për emigrantët mund të vendosë veton, një tjetër shfaqje mori vëmendje lidhur me këtë çështje.

Familja e tenistit zhvilloi këtë të hënë në Beograd një konferencë të çuditshme siç e konsiderojnë shtypi europian, nën sfondin e muzikës serbe, si një festë për vendimin  e dhënë nga gjykata e Melburnit kundër heqjes së vizës së numrit 1 në botë.

Fillimisht ishte babai i lojtarit, Srdan që foli duke pohuar me forcë në serbisht se djali i tij, drejtësia dhe shteti i së drejtës kishin fituar dhe se Novak-ut i ishin hequr të drejtat e njeriut. Edhe nëna e sportistit, Dijana vazhdoi duke evokuar torturat e vuajtura nga djali i saj teksa e cilësoi fitoren më të madhe të karrierës së tij, vendimin e gjykatës.

Në konferencë folën edhe xhaxhai i Djokoviç, Goran dhe vëllai i tenistit, Djordje ku pasi folën disa minuta i lanë vend pyetjeve, fillimisht nga ata vendas serbisht dhe me pas pyetjeve në anglisht.

Pikërisht kur një gazetar bëri pyetjen shumë të sikletshme për aktivitetet që ka bërë Novak Djokoviç ndërkohë që ai kishte rezultuar pozitiv më 16 dhjetor, babai i tha disa fjalë djalit të tij të vogël dhe konferenca për shtyp u ndërpre menjëherë. Muzika u dëgjua nën duartrokitjet e gazetarëve serbë dhe transmetimi u ndërpre.

Padyshim që kjo situatë nuk e nderon aspak tenistin dhe familjen e tij, të cilët u përpoqën të fshihnin ose mos përgjigjeshin për faktin se Djokoviç doli me Covid dhe në asnjë moment nuk u izolua por është parë edhe në aktivitete me fëmijët.