Transmetuar më 09-01-2022, 09:44

Ekziston një vend mbi tokë që ngjan me ‘Portën e Ferrit’ e që nuk shuhet kurrë. Në fakt historia e saj nisi aksidentalisht e tani askush nuk mund të bëjë gjë.

Presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov, deklaroi të shtunën se dëshiron të shuajë kraterin e zjarrtë të gazit natyror Darvaza.

Sipas medieve të huaja, vendi është një atraksion popullor turistik në vendin e Azisë Qendrore dhe njihet si “Porta e Ferrit”.

Të shtunën, Berdymukhamedov u shfaq në televizionin shtetëror duke urdhëruar zyrtarët qeveritarë të shuanin zjarrin, duke përmendur dëmin ekologjik dhe shqetësimet ekonomike.

Ai tha se zjarri i gazit natyror “ndikon negativisht në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve që jetojnë aty pranë”.

“Ne po humbasim burime të vlefshme natyrore për të cilat mund të marrim fitime të konsiderueshme dhe t’i përdorim ato për përmirësimin e mirëqenies së popullit tonë”, ka deklaruar ai.

Çfarë është “Porta e Ferrit”?

“Porta e Ferrit” ndodhet përafërsisht 260 kilometra në veri të kryeqytetit turkmen, Ashgabat. Vendi është 60 metra e gjerë dhe 20 metra në thellësinë e tij.

Turkmenportal, një faqe e lajmeve turkmene, tha se “Porta e Ferrit”, u formua për herë të parë në vitin 1971 kur gjeologët sovjetikë goditën një rezervë gazi natyror në shkretëtirën e madhe Karakum, duke bërë që ajo të shembet aksidentalisht.

Gjeologët sovjetikë ndezën zjarrin për të parandaluar përhapjen e gazit natyror, duke besuar gabimisht se ai do të shuhej në një periudhë të shkurtër kohore.

Dekada më vonë, “Porta e Ferrit” ende digjet, si ferri nga ku edhe mori emrin.

Në vitin 2018, presidenti urdhëroi që ajo të riemërohej si “Shkëlqimi i Karakumit”.

A ka provuar dikush të shuajë “Portën e Ferrit” më parë?

Berdymukhamedov urdhëroi shuarjen e flakëve në vitin 2010. Përpjekjet e mëparshme për të shuar “Portën e Ferrit” nuk kanë qenë të suksesshme.

“Eksplorimi”

Në nëntor të vitit 2013, eksploruesi kanadez George Kourounis, nisi ekspeditën për t’u bërë personi i parë për të hyrë në thellësitë e kraterit.

Ai vite më parë kishte rrëfyer për eksperiencën e tij drithëruese e magjepësese.

“Vendi më ka magjepsur gjithmonë. Historia pas asaj se si erdhi në ekzistencë ka qenë e mbuluar me mister dhe nuk ka asnjë vend tjetër si kjo në Tokë. Është shumë unike, pasi nuk ka asnjë vend tjetër ku ka këtë gropë metani që digjet që po hidhet nga toka me presion të lartë. Është magjepsëse, është vizualisht mahnitëse dhe ka shumë gjëra që mund të mësojmë për këtë vend”, ka deklaruar ai.

Duke e përshkruar më tej aventurën e tij si “surreale”, ai thotë se në momentin që shikonte poshtë nga një lartësi, gropa ngjante sikurse një planet tjetër.

Kanadezi zbuloi se në fund të kraterit po mbijetonin bakterie unike, pavarësisht temperaturave të larta.

Turkmenistani posedon rezervat më të mëdha në botë të gazit natyror duke u renditur i katërti në botë.