Transmetuar më 02-01-2022, 18:26

Një histori sa e trishtë, po aq e bukur ajo mes një nëne dhe vajzës së saj të ndara nga njëra tjetra më shumë se 5 dekada më parë.

Gjithçka nisi nga një histori dashurie në ndërmarrje. Por pasi mbetet shtatzënë, i dashuri e braktis Jorgjien. Ajo lind vajzë, por për shkak të mentalitetit e lë në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. Nuk e nënshkroi aktin e birësimit pasi donte ta merrte sërish. E takon fshehurazi vajzën deri kur ajo mbushi 3 vjeç. Por pastaj i thanë se ajo vdiq. Në fakt Holta u adoptua nga prindër në Tiranë. Më pas ajo u bë një balerinë e njohur dhe iku në Itali. Jorgjia e kërkoi vajzën e saj, por më kot. Ajo u martua me një burrë tjetër i cili në fakt e kërkoi vajzën e Jorgjies që la në befotrof, por pa sukses. Kaluan shumë vite dhe nënë e bijë bashkohen falë emisionit të Ardit Gjebresë.

Ardit Gjebrea: Quhet Devis dhe është djali i Rozetës.

Jorgjia: Zoti i çoka gjërat në vend.

Ardit Gjebrea: Ja ku është, Rozeta jote jeton dhe është me dy motrat.

Jorgjia: Të kenë jetën e gjatë.

Ardit Gjebrea: Të ka kërkuar, gjithë jetën ka pyetur dhe atë e ka birësuar një zonjë me emrin Jorgjia si ty.

Jorgjia: Ku, në çfarë qyteti? Ma trego të vërtetën si shpirti.

Ardit Gjebrea: Në Tiranë. Ka shkuar një çift për të birësuar një fëmijë në qytetin e Vlorës dhe kanë patur disa fëmijë atje dhe në një moment Rozeta jote ka shkuar dhe e ka përqafuar zotërinë që kishte shkuar bashkë me bashkëshorten dhe ata kanë thënë se këtë vajzë do të marrim dhe e morën.

Jorgjia: Sa vjeçe?

Ardit Gjebrea: 5 vjeçe. Është rritur në një familje të mrekullueshme, ta kanë mbajtur shumë mirë vajzën.

Jorgjia: Faleminderit. Jam mirënjohëse tërë jetën.

Ardit Gjebrea: Ajo u bë një balerinë dhe djali i saj është një balerin shumë i talentuar. Je gati ta takosh?

Jorgjia: Gati.

Ardit Gjebrea: Sot e ka emrin Holta sepse kur e morën dhe e adoptuan, nga Rozeta e quajtën Holta, kështu që të gjithë e njohin me këtë emër. Tani ti do e thërrasësh me këtë emër apo Rozeta?

Jorgjia: Rozeta.

Ardit Gjebrea: Rozeta eja tek mamaja që të ka lindur!