Transmetuar më 29-12-2021, 12:26

Prodhimi vjetor i grurit në Kinë arriti rekord sivjet, me gjithë ndikimin e epidemisë së COVID-19 e të fatkeqësive natyrore, pas përpjekjeve të vazhdueshme nga qeveria qendrore dhe pushteti vendor, duke përfshirë restaurimin e tokës bujqësore, rritjen e kapacitetit të prodhimit të farërave dhe zbatimin e teknikave të përparuara bujqësore.

Prodhimi i drithërave në Kinë në vitin 2021 arriti në 682.85 miliardë kilogramë, me një rritje prej 3.1 miliardë kilogramësh në prodhimin e drithërave të verës, 700 milionë kilogramë të prodhimit të orizit të hershëm dhe 9.55 miliardë kilogramë të drithërave të vjeshtës në krahasim me vjet.

Të korrat e mbara të këtij viti janë siguruar me vështirësi, pasi Kina kapërceu sfidat e sjella nga shpërthimet e shumta të COVID-19 dhe përmbytjet e mëdha në disa zona.

Për të siguruar furnizimin me ushqim për më shumë se 1.4 miliardë banorët e Kinës, si qeveria qendrore, ashtu edhe pushteti vendor forcuan masat për të mbrojtur tokën bujqësore.

Në sajë të këtyre masave, Kina ka shtuar gjithsej rreth 864 000 hektarë tokë bujqësore këtë vit.

Në përpjekje për të garantuar cilësinë e farërave, Kina nisi një program për rigjallërimin e sektorit të farërave në vitin 2021. Gjithsej 152 konte dhe baza kryesore të prodhimit të farërave kanë nxitur modernizimin e prodhimit të farërave në nivele më të larta.

Bashkia e qytetit Zhangye në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore ka forcuar bashkëpunimin me ndërmarrjet kryesore të prodhimit të farërave për përmbushjen e kërkesës për furnizimin me më shumë se gjysmën e farërave të misrit për mbarë vendin.

Deri më tani këtë vit, Kina ka krijuar rreth 6.67 milionë hektarë tokë bujqësore të re me standarde të larta, duke u mbështetur në një mekanikë bujqësore të përparuar dhe një kapacitet më të lartë të përballimit të fatkeqësive natyrore.

Si rezultat, kulturat e mbjella në 667 000 hektarë tokë bujqësore me standarde të larta në rajonin Lixiahe të provincës Jiangsu të Kinës Lindore pësuan dëme minimale nga stuhitë e shiut të shkaktuara nga tajfuni “In-fa” në qershor të këtij viti.

Në vitin 2021, funksionimi i projekteve pilot të qeverisë qendrore të rotacionit të të korrave dhe të lënies së tokës ugar u zgjerua, duke mbuluar rreth 2.7 milionë hektarë, me një shkallë të përgjithshme të mekanizimit të mbjelljes dhe korrjes që pritet të arrijë mbi 72 për qind dhe një kontribut të shkencës e të teknologjisë në rritjen e prodhimit që parashikohet të shkojë mbi 61 për qind.

Pas zbatimit të masave dhe politikave gjithëpërfshirëse, Kina ka konsoliduar më tej bazat për prodhimin e drithërave. [Foto: VCG]